Pas privatizimit të Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë, punonjësit janë përballur me pengesa dhe ndryshime të papritura në pozitat e tyre. Shumica e tyre, nga drejtues sektorësh, tani janë të detyruar të kryejnë punë të thjeshta, si pastrimi i rrugëve dhe parqeve.
Si rezultat i kësaj situate, disa nga punonjësit janë ankuar në Inspektoratin e Punës, i cili ka urdhëruar kthimin e tyre në pozicionet e mëparshme. Inspektorati ka sqaruar se ndryshimet e pozicioneve mund të bëhen vetëm në mënyrë horizontale, dhe jo nga shef në punonjës të thjeshtë.
Megjithatë, pas këtij vendimi, drejtori i ndërmarrjes ka lëshuar disa vendime të tjera, derisa disa punonjës kanë marrë vendimin final për largimin e tyre nga puna.
RIJAN USEINI – ISH SHEF I SEKTORIT PËR TRANSPORT NPK
“Megjithatë, drejtori lëshoi një vendim tjetër që na bënte sërish punëtorë të thjeshtë për të pastruar rrugët dhe parqet. Ne nuk e pranuam këtë vendim, duke u bazuar në atë që tha Inspektorati Shtetëror dhe nuk dolëm në punë. Më pas, drejtori solli vendimin e fundit, duke na shkarkuar nga puna. Tani jemi pa punë dhe për tetë muajt e fundit nuk kemi pasur sigurim shëndetësor. Nuk kemi marrë as pagën e muajit të dymbëdhjetë; disa punonjës e kanë marrë, disa të tjerë jo,” – tha Rijan Useini, ish-shef i sektorit për transport dhe selektim në NPK Tetovë.
Në lidhje me këtë çështje, iu drejtuan Ndërmarrjes Publike Komunale, por drejtori Samet Bislimi nuk pranoi të prononcohet para kamerave. I pyetur për situatën, ai u përgjigj shkurt me shkrim.
“Nuk bëhet fjalë për largim nga puna, por për sistematizim të ri. Me sistematizimin e ri, kemi vetëm katër sektorë dhe nuk ka më udhëheqës në deponi apo sektorë të ndryshëm. Tani kemi më shumë nevojë për punëtorë në terren, dhe këtë e parasheh edhe sistematizimi i ri,” – tha Samet Bislimi, drejtori i NPK-së.
Edhe pas sqarimit të këtillë të drejtorit Samet Bislimi situata mbetet e paqartë dhe e tensionuar, shumë punonjës vazhdojnë të ndihen të trajtuar padrejtësisht ndërkaq disa prej tyre gjashtë muaj përpara pensionimit janë detyruar që të kapin fshisat dhe të pastrojnë rrugë e parqe. /tvklan.mk