La Liga luhet nën hijen e Superkupës së Spanjës

Kampionati i Spanjës do të vazhdojë me xhiron e 20-të, ndeshjet e së cilës do të zhvillohen nën hijen e Superkupës së Spanjës. Të dielën mbrëma do të luhet finalja e Superkupës në Arabinë Saudite ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës. Në turneun e Superkupës morën pjesë edhe Atletico Madridi e Osasuna, skuadra që u eliminuan në gjysmëfinale. Këtyre skuadrave u janë shtyrë për më vonë ndeshjet e kësaj xhiroje, në të cilën do të luhen shtatë ndeshje gjatë tri ditëve.

Skuadra e Mallorcas edhe në këtë xhiro do të jetë pa sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi, që nuk është rikuperuar ende nga lëndimi që e pësoi në muajin nëntor. Mallorca të shtunën prej orës 16:15 luan në shtëpi kundër skuadrës së Celta Vigos.

Të shtunën luhet edhe dueli Las Palmas – Villarreal që nis në orën 14:00, ndërsa prej orës 18:30 Athletic Bilbao e pret në shtëpi skuadrën e Real Sociedadit. Dueli i fundit i ditës së shtunë është ai ndërmjet Real Betisit dhe Granadas, i cili starton prej orës 21:00.

Të dielën befasia e këtij edicioni në La Liga, Girona do ta kërkojë fitoren e radhës. Girona është mysafire e Almerias, në duelin që nis në orën 14:00. Girona është e dyta me 48 pikë, sa i ka edhe Real Madridi që prin në tabelë dhe këtë vikend mund ta parakalojë skuadrën mbretërore që në të njëjtën ditë, por në mbrëmje kërkon trofeun e parë të këtij edicioni në futbollin spanjoll.

Xhiroja do të mbyllet me ndeshjen që luhet prej orës 16:15, ku skuadra e Cadizit luan në shtëpi kundër Valencias.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share