Kuvendi verifikon mandatet e 118 deputetëve

Kuvendi në kuadër të seancës konstituive, me 101 vota “pro” nga gjithsej 117 të pranishëm, e miratoi raportin e Komisionit verifikues dhe me këtë i verifikoi mandatet e 118 deputetëve. Me këtë iu ndërpre mandati deputetëve nga përbërja e vjetër parlamentare. Deputetët e rinj që janë bartës të funksioneve tjera gjithashtu u është ndërprerë funksioni. Gjithsej gjashtë deputetëve u është ndërprerë funksioni në Qeveri, kështu që Qeveria do të kryejë vetëm funksione teknike deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Kryetarja e Komisionit Verifikues, Dafina Stojanovska, tha se Komisioni ka shqyrtuar raportet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet dhe zgjedhjet plotësuese në njësitë zgjedhore 5 dhe 6, si dhe deklaratën e Bilall Kasamit, në të cilën kërkon që mandati i tij të mos të verifikohet dhe se në bazë të kësaj janë zgjedhur gjithsej 118 deputetë.

Dimitar Apasiev nga “E Majta” theksoi se raporti i KSHZ-së nuk përputhet me raportin e Komisionit Verifikues dhe e kundërshtoi kërkesën e Kasamit, i cili tha se kishte nënshkruar me vetëdije se do të merrte pjesë në garën zgjedhore dhe se kishte marrë vërtetim nga KSHZ-ja si deputet dhe se nuk mund të heq dorë nga diçka që nuk mund të bëhet.

“Kasami u zgjodh deputet dhe me ligj tani duhet të ketë zgjedhje për kryetar të Komunës së Tetovës. Një deputeti i skadon mandati dhe mund të shkarkohet vetëm sipas Kushtetutës. Deputeti mund të dorëzojë dorëheqjen, por në seancë parlamentare. Kuvendi duhet t’i heqë mandatin, jo Komisioni Verifikues siç keni bërë ju”, tha Apasiev.

Ai ka kërkuar përgjigje se përse Komisioni Verifikues ka konstatuar dorëheqjen e Kasamit dhe jo Kuvendi.

Talat Xhaferi, i cili mban pozitën e kryeministrit në Qeverinë teknike, tha se nuk mund të mbajë dy pozita në të njëjtën kohë dhe se për këtë arsye nuk do të marrë pjesë në punën e Kuvendit deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share