Kurti takon krerët e shtetit shqiptar: Kosova, e vendosur për ta zbatuar Planin Europian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet në Tiranë ku ka takuar krerët e shtetit shqiptar. Ai u ndal fillimisht tek Presidenca ku takoi kreun e shtetit, Bajram Begaj. Në fokus të diskutimeve, siç pritej, ishte takimi i 18 Marsit në Ohër.

Zyra për shtyp e Presidencës bëri me dije se Kurti e informoi Begajn në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë. “Begaj vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis  Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Pas Begajt, Kurti u nis në këmbë drejt Kryesisë së Kuvendit. Atje takoi kryeparlamentaren Lindita Nikolla. Kjo e fundit tha se Shqipëria mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve.

“Vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike”, u shpreh Kryetarja Nikolla.

Kryeministri Albin Kurti falenderoi Kryetaren Lindita Nikolla për mbështetjen institucionale të bashkëpunimit dypalësh, si Kryetare e Kuvendit.

Zyra për shtyp e Nikollës bëri me dije se kryeministri Kurti vuri në dukje vendosmërinë e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e Planit Evropian, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke bashkëpunuar ngushtë me BE dhe SHBA.

Kurti do të zhvillojë një drekë pune me kryeministrin Edi Rama në vilën qeveritare këtë të diel. Edhe në këtë takim, Kurti pritet që të informojë kreun e qeverisë shqiptare për takimin e 18 Marsit./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share