Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se informatat preliminare të autoriteteve të Kosovës tregojnë se shumica dërrmuese e personave të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit janë ose pjesëtarë të organizatës Mbrojtja Civile ose të Brigadës Veriore, të dyja të shpallura terroriste në Kosovë, në Qershor të këtij viti.
Sipas Kurtit, çështja më e rëndësishme aktualisht është siguria e Kosovës dhe ndëshkimi për sulmuesit e Policisë së Kosovës.
“Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë, e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht, zyrtarisht, atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi, dorëzimi i të gjithë atyre, të cilët janë duke u përndjekur, sepse ikën nga vendi i krimit dhe nga shteti ynë”, ka thënë Kurti teksa ka marrë pjesë në një tryezë të Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS) lidhur me arritjet e deritanishme dhe pritjet nga Procesi i Berlinit.
Si pasojë e sulmeve në veri mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Gjatë përleshjeve me policinë janë vrarë edhe tre sulmues serbë. /REL