Kurti: Shqipëria gjithmonë pranë Kosovës. 2 gjërat kryesore që theksova gjatë takimeve

Pas takimeve që zhvilloi këtë të diel me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se gjatë këtyre takimeve kishte theksuar 2 gjëra kryesore.

“Gjatë këtyre takimeve theksova dy gjëra kryesore. E para është suksesi dhe progresi demokratik e ekonomik i Kosovës në këto 2 vite të qeverisjes tonë, që është një progres i pashembullt në Kosovën e pavarur. Në anën tjetër i informova për detajet e përmbajtjes së marrëveshjeve që kemi realizuar së pari në Bruksel dhe më pas edhe ankesin e zbatimit në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Dëshirova që t’i njoftoj për së afërmi, dhe në hollësi me procesin e dialogut, por edhe me elementët përbërës të marrëveshjes që tani duhet të zbatohet”.

Kurti theksoi se krerët e shtetit shqiptar e kanë mbështetur për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e arritur, ndërsa tha se Shqipëria është gjithmonë pranë Kosovës dhe këtë e dëshmon si në arenën ndërkombëtare, ashtu edhe në marrëdhëniet bilaterale.

“Presidenti Begaj, Kryetarja Nikolla dhe Kryeministri Rama më kanë mbështetur për procesin e dialogu dhe marrëveshjen që kam arritur. Shqipëria është gjithmonë pranë Kosovës dhe atë e dëshmon edhe në arenën ndërkombëtare, por edhe në marrëdhëniet tona bilaterale. Me kryeministrin Rama u dakorduam që mbledhja e ardhshme midis 2 qeverive do të jetë qershor. Por gjithashtu biseduam edhe për zbatimin e deritanishëm të marrëveshjeve të nënshtruara dhe çfarë do të mund të bëjmë edhe marrëveshje të reja, edhe zbatime të reja”.

Kurti tha më tej se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë “në forumet ndërkombëtare për Kosovën. Çdoherë kur diskutohet duhet të mbrohet Kosova, subjektiviteti i saj, sovraniteti, pavarësia, integriteti territorial. Por gjithashtu të na ndihmojnë edhe në anëtarësime në organizatat ndërkombëtare, meqenëse e dimë që Shqipëria ka edhe ulëse në OKB dhe është gjithandej pjesëmarrëse e anëtare. Njëkohësisht desha që t’i informoj në mënyrë që një situatë komplekse e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të jetë sa më e qartë për ta, në mënyrë që edhe mbrojtja që do t’i bëjnë Kosovës të jetë sa më e saktë dhe e dobishme”.

Po ashtu, Kurti u shpreh se krerët e shtetit shqiptar mbështetën qëndrimin e tij se marrëveshja është njohje de facto e Kosovës nga Serbia.

“Ata mbështetën qëndrimin tim që kjo marrëveshje është njohje de facto e Republikës së Kosovës nga Serbia. Është në fakt një njohje de facto e ndërsjellët dhe gjithashtu, ua shpjegova se neni 7 i cili flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb dhe përmend Këshillin e Europës, korrespondon tek marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Ndërkaq, në pikën 10 bëhet fjalë për të gjitha marrëveshjet e deritanishme që i ka trashëguar qeveria jonë nga procesi i dialogut në Bruksel, që janë gjithsej 39 dhe të cilat ne jemi pajtuar që duhet të zbatohen, natyrisht ato të cilat janë valide dhe të obligueshme, siç edhe thuhet në nenin 10 të marrëveshjes”.

Përveç Presidentit Begaj, kryetares së parlamentit Nikolla dhe kryeministrit Rama, Kurti u takua edhe me Ilir Metën. I pyetur nga gazetarët se përse shmangu Partinë Demokratike, ai tha: “Kam takuar krerët e 3 institucioneve shtetërore dhe kam takuar edhe ish-Presidentin Meta, të cilin e kam njoftuar edhe më herët, gjatë procesit të dialogut. Dhe kam konsideruar që është e nevojshme gjithashtu ta njoftoj atë, ndonëse nuk është më President. Pra kam takuar institucionet shtetërore kësaj radhe. Nuk përjashtohet që në vizitën time të radhës do të takoj edhe të tjerët. E di që Tirana dhe e gjithë Shqipëria tani ndodhet nën ethet e fushatës dhe uroj që zgjedhjet vendore të shkojnë sa më mirë dhe ju uroj suksese kandidatëve”./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share