Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova është e interesuar që të arrihet marrëveshje me Serbinë, e cila do të kishte në qendër njohjen reciproke. Por, derisa nuk arrihet kjo marrëveshje, e cila sipas Kurtit do të ishte ndërkombëtare, ligjërisht e obligueshme, Kosova do të ketë reciprocitet të plotë, i cili siç tha, do të vendoset gradualisht.
“Reciprociteti në marrëdhënie diktohet nga sovraniteti ynë. Ne nuk mund të mos e ushtrojmë sovranitetin të cilin e kemi shpallur, njëjtë siç nuk mund të sillemi neutral ndaj vetes apo të marrim vendime të cilat krijojnë dualizëm në sistemin tonë ligjor”, tha Kurti gjatë një adresimi para Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet.
Kurti tha se vendimet e fundit, sa i përket targave dhe dokumenteve serbe, kanë qenë në kuadër të ushtrimit të sovranitetit të Kosovës.
Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve.
Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes. Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.
Dy vendimet – për targat dhe dokumentet serbe – rritën tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, që kulmuan me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës nga serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht. Barrikadat u hoqën dhe Qeveria e Kosovës u zotua për shtyrjen e zbatimit të vendimeve.
Por, pas një rundi të pasuksesshëm të dialogut, zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë shtuan përpjekjet për të bindur palët që të arrinin ujdi. Në këto përpjekje u angazhua edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogut, Mirosllav Lajçak, këtë javë vizituan Kosovën dhe Serbinë për t’u siguruar që nuk do të ketë dhunë më 1 shtator, kur parashihej të hynte në fuqi vendimi për dokumentet.
“Prandaj edhe vendimet tona, sikurse ato për referendumin, zgjedhjet e deri te këto për targat e kartat e identitetit, por edhe krejt vendimet e tjera në të ardhmen janë asgjë më shumë e më pak sesa shprehje e ushtrimit të sovranitetit”, tha Kurti më 28 gusht.
Kryeministri Kurti iu dërgoi ftesë krerëve opozitarë për, siç tha ai, informuar lidhur me rundin e dialogut me Serbinë, të mbajtur më 18 gusht në Bruksel, por edhe për sfidat që e presin Kosovën. Kurti tha se në rundin e fundit të dialogut në Bruksel ai ka prezantuar kornizën e përgjithshme me gjashtë kapituj për marrëveshjen përfundimtare.
“Unë jam i angazhuar dhe i përkushtuar që në mënyrë aktive e kreative, në bashkëpunim e koordinim me partnerët e aleatët tanë, sidomos me SHBA-në dhe BE-në, të arrijmë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme me njohjen e ndërsjellë në qendër, marrëveshje kjo e cila do ta sjellë paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe do t’i kontribuojë sigurisë ballkanike”, tha Kurti.
Më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.
Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.
Qeveria ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës. Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim.