Kurti: Qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njëjtë nga ndërkombëtarët

Gjatë seancës së jashtëzakonshme plenare, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se ndërkombëtarët nuk mund të kenë të njëjtën qasje për Kosovën dhe Serbinë.

“Për vite me radhë nga partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë na është thënë që kërcënimi më i madh për Kosovën është shkalla e lartë e korrupsionit dhe krimi i organizuar që na i pengon sukseset e Kosovës. Kemi dëshmuar që jemi partnerë të denjë të miqve tanë ndërkombëtarë me avancimin demokratik e ekonomik të Kosovës. Ajo që i bën bashkë partnerët tanë ndërkombëtarë janë vlerat e përbashkëta dhe besimi se këto janë universale që duhet të mbrohen me çdo kusht. Qeveria ime beson thellësisht në miqësinë e përhershme me SHBA, shtetet e BE-së dhe më gjerë. Ne jemi thelbësisht transaltlantikë. SHBA dhe BE-ja bashkë me njëra tjetrën dhe bashkë me ne, por qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njëjtë. Serbia është vend autokratik, nuk është vend demokratik. Rusia e ka Serbinë qendrën e saj rajonale”, u shpreh Kurti.

Kurti shprehu keqardhje për sulmet në veri ndaj policisë, KFOR dhe gazetarëve. Po ashtu, ai falenderoi në veçanti forcat e policisë, që sipas tij, “mbrojtën Kushtetutën dhe ligjin”.

“Ndjej keqardhje maksimale për sulmet që ndodhën dhe po ndodhin ndaj anëtarëve të policisë sonë, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve. Shpreh falenderimin tim për të gjithë, për kurajon dhe sakrificën dhe në veçanti për anëtarët e policisë sonë që në mënyrë të dinjitetshme patriotike dhe të përgjegjshme po e mbrojnë kushtetutën dhe ligjin në shtetin e tyre të pavarur ku shërbejnë me përkushtim”, tha Kurti.

Sa i përket protestave, për Albin Kurtin, ato janë të drejtuara nga Beogradi.

“Protestat vijnë prej poshtë. Këto nuk janë protesta prej poshtë, këto janë protesta prej lart. Që domethënë që nuk janë protesta. Nuk ka asgjë autentike në ato protesta. Nuk janë vullnet i popullit ato. Janë direktivë e Beogradit. Më vjen keq për qytetarët serbë që detyrohen të dalin në këto protesta sepse unë mendoj që ata sot janë njerëzit më të palirë në Republikën e Kosovës”, tha Kurti.

Duke folur për qytetarët serbë që jetojnë në veri ai theksoi se “Ata duhet të çlirohen nga kjo milici fashiste dhe Republika e Kosovës me policinë e saj dhe organet e saj po bën këtë gjë. Sot nuk është në pyetje çlirimi i Kosovës. Sot është në pyetje çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste. Ne duhet t’i ndihmojmë serbët që të çlirohen nga milicia fashiste”. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share