Kurti për vizitën e Bërnabiq: Pres që ajo të mos japë deklarata përçarëse në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti tha se pret që kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila do ta vizitojë Kosovën më 5 shtator, të ketë kujdes në deklaratat që do t’i japë nga këtu, raporton Gazeta Express.

Kurti në një konferencë për media tha se pret që Bërnabiq të mos japë deklarata përçarëse sikurse kryenegociatori serb në dialog, Petar Petkoviq.

“Pres që zonja Bërnabiq të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse që kishin për qëllim tansionimin dhe destabilizimin”, tha Kurti.

Ai tha se “kemi nevojë të përqëndrohemi te jeta më e mirë e qytetarëve”, ndërsa vazhdoi me lavdata për qeverisjen e tij.

“Unë besoj që Qeveria e Republikës së Kosovës me mua si kryeministër për këtë më pak se një vit e gjysmë ka bërë më shumë sesa çdo qeveri paraprake edhe sa i përket punësimit të personave nga komunitetet pakicë apo joshumicë, por këtu e kemi një vështirëse, sepse punësimi ka shkuar shpesh sipas partive politike, jo sipas përkatësisë nacionale”, tha Kurti.

Kryeministri tha se edhe partitë politike të komuniteteve joshumicë “i kanë përpiluar listat e atyre që janë të punësuar në institucione publike”.

“Ne e luftojmë këtë te të gjithë qytetarët”, tha Kurti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share