Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka ende probleme në kufirin me Serbinë.
Kreu i qeverisë ka folur edhe për organizatat kriminale në veri të vendit, duke thënë se “fatkeqësisht ata që u pasuruan gjatë luftës janë kthyer në kriminelë dhe vazhdojnë të pasurohen me Bitcoin, drogë dhe armë”.
“Ata e mbulojnë biznesin e tyre me ide nacionaliste, por janë ende kriminelë”, ka thënë Kurti për agjencinë italiane “AGI”, transmeton Klankosova.tv.
Kurti foli edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke thënë se po bëhet çmos për t’u afruar me BE-në.
“Nuk jemi ende zyrtarisht kandidat për anëtarësim, por po bëjmë çmos që sa më shpejt t’i afrohemi Bashkimit Evropian”, tha ai.
Ndërsa, për partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listën Serbe, Kurti tha se ka lidhje me presidentin rus, Vladimir Putinin dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiqin.
“Ata flasin për nacionalizëm dhe patriotizëm por në realitet kanë ide fashiste dhe lidhje me Vuçiqin dhe Putinin”, tha ai.