Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi, të enjten, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nuk pajtohet me përmbajtjen e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Pranimi bëhet vetëm përmes nënshkrimit të të dyja palëve. Refuzimi për ta nënshkruar është tregues që ata nuk janë dakord me përmbajtjen”, tha Kurti duke iu referuar takimit të nivelit të lartë mes tij dhe Vuçiqit në Bruksel, më 27 Shkurt, ku u diskutua propozimi evropian.
Debati lidhur me Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, po mbahet me kërkesën e opozitës në Kuvend.
Teksti i këtij propozimi, që Bashkimi Evropian e ka quajtur një marrëveshje bazë, është publikuar mbrëmjen e 27 Shkurtit.
Pas takimit në Bruksel, përfaqësuesit e BE-së si lehtësues të dialogut, thanë se edhe Kosova, edhe Serbia e kanë pranuar tekstin e kësaj marrëveshjeje bazë dhe pritet në vazhdim të diskutohet për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më 28 Shkurt se Serbia është e gatshme të punojë në shumë gjëra që dalin nga propozimi evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, ai shtoi se nuk do të bisedojë për “njohjen reciproke, njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.
I pyetur gjatë një interviste për nenin që thotë se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, Vuçiç tha: “Prandaj nuk e nënshkrova [propozimin evropian]”. /REL