Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se në vitin e fundit ka rritje të shkëmbimit tregtar me Malin e Zi.
Ai u shpreh se në kohë të vështira, Republika e Malit të Zi u bë strehë shpëtimi për mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës.
“Jemi mirënjohës që në kohët më të vështira, Mali i Zi u bë strehë shpëtimi për mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës që u dëbuan nga fushata e gjenocidit dhe spastrimit etnik nga regjimi i Millosheviqit në vitet 1998-99. Në vitin e fundit kemi rritje të shkëmbimit tregtar me Malin e Zi, krahasuar me vitin 2021, në vitin 2022 eksportet e Kosovës në Mal të Zi, janë rritur për 50 për qind”, tha ai.
Tutje, Kurti foli edhe për nënshkrimin e marrëveshjes për shërbime ajrore mes Kosovës dhe Malit të Zi, përcjell Klankosova.tv.
“E rëndësisë së veçantë sot është natyrisht nënshkrimi i marrëveshjes për shërbime ajrore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, ky është një hap sa i rëndësishëm, po aq edhe i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës ajrore mes dy republikave tona. Marrëveshja që e nënshkruam sot ofron mundësi të reja të zhvillimit të aviacionit civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e të kohës së fluturimit për 15 minuta”, tha ai.