TAKIMI NË SHKUP – KURTI FLET PËR IDENË E BORRELIT
Marrëdhëniet Kosovë – Serbi duhet të normalizohen, kurse normalizimi mund të bëhet përmes njohjes së ndërsjellë – ka theksuar Kryeministri I Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit në Forumin Ekonomik në Shkup, njofton KlanM.
“Kjo është thënë edhe nga Presidenti Bajden, Sekretari Blinken, Kancelari Sholc se njohja e ndërsjelltë është thelbi i pikës qendrore të normalizimit të plotë të marrëdhënieve. Ne po punojmë dhe e kemi si bazë propozimin e BE-së që na u prezantua mua dhe Presidentit serb dhe ne e pranuam tekstin e propozimit, e pranuam në dy kryeqytetet dhe në Bruksel” – deklaroi Albin Kurti.
Propozimi Zhozef Borrellit që Shkupi më 18 Mars të jetë nikoqir I takimit të ardhshëm Kurti-Vuçiq, sipas Kurtit, ka të bëjë me disa cështje. Së pari, Shkupi është qyteti më i madh afër Prishtinës dhe Maqedonia e Veriut ka një impakt të madh në rajon. Ai, sic njofton KlanM, në këtë kontekst ka përmendur edhe Kumanovën.
”Mos të harrojmë që më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë ishte nënshkruar kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë mendoj që këto elemente simbolike kanë qenë të rëndësishme për Josep Borrell që të na ftojnë këtu për takimin e radhës të nivelit të lartë” – tha Albin Kurti.
Ndërkaq, Zv/Kryeministri i Parë, Artan Grubi, vlerëson se Marrëveshjet e Prespës dhe Ohrit, duhet të shërbejnë si modele për Prishtinën dhe Beogradin.
“Do të doja që shembulli ynë me Marrëveshjen e Prespës dhe Ohrit të shërbejë si shembull, veçanërisht për autoritetet në Prishtinë dhe Beograd, që të tejkalohet kontesti dhe të rrumbullaksohet me njohjen e ndërsjelltë të pavarësisë midis Kosovës dhe Serbisë që do të ndikonte në stabilitetin e gjithë rajonit” – deklaroi Artan Grubi.
Lidhur me përmirësimin e infrastruktuës dhe tejkalimin e vështirësive në vendkalimet kufitare, sic percjell KlanM, Kryeministri Kurti ka theksuar se për mundësinë e vendosjes së pikës së përbashkët kontrolluese ka biseduar me Kryeministrin Kovaçevski. Për lidhjen Prizren – Tetovë tha se do të duhet të bëhet sa më shpejt dhe se Kosova është e gatshme të ndajë mjetet e nevojshme për këtë project të madh të infrastrukturës.
Kryeministri I Kosovës paralajmëroi nismë që, sic tha, e ka harmonizuar me Kovaçevskin për mbajtjen e forumit të biznesit. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Teuta Buçi