Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në një deklarim për media para se të fillojë Samiti i Kotorrit, tha se Plani i Rritjes së BE-së është mundësi për Ballkanin Perëndimor.
Ai ka thënë se 25 vjet më parë ka qenë i burgosur politik dhe i luftës nga regjimi i Millosheviqit.
Kurti ka folur edhe për procesin e Berlinit që këtë vit shënon 10 vjetorin.
Shefi i ekzekutivit ka përmendur se Bosnja Hercegovina nuk ka miratuar marrëveshjen për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime.
Çfarë synon paketa e BE-së prej 6 mld eurosh për Ballkanin Perëndimor
Paketa e cila përfshin 6 miliardë euro parashikon që vendet e Ballkanit Perëndimor do të marrin 2 miliardë euro në formën e parave pa interes dhe 4 miliardë euro në formën e kredive të buta.
Kjo është një prej paketave më ambicioze të Bashkimi Evropian për të ndihmuar rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të ecin përpara më shpejt drejt integrimit në BE.
Por fjalën e fundit do ta japë Këshilli i BE-së. Pasi Parlamenti Evropian miratoi paketën, ajo duhet të ‘vuloset’ edhe nga Këshilli i BE-së. Pas kësaj, mund të fillojnë pagesat e para për përfituesit.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave dhe kryerjen e investimeve, bazuar në katër shtylla kryesore:
Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.
Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor, përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.
Përshpejtimi i reformave themelore
Rritja e ndihmës financiare
Për të zbatuar këtë plan, BE-ja ka propozuar një instrument të ri financimi: 6 miliardë euro në tre vitet e ardhshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke kombinuar grantet me kreditë e buta.
Si do të funksionojë plani i rritjes ekonomike?
Mbështetja 6 miliardë euro nga Bashkimi Evropian për Ballkanin në periudhën 2024-2027, do të çelet pasi instrumenti të jetë miratuar edhe nga Këshilli Evropian.
3 miliardë euro (2 miliardë € grante dhe 1 miliard € kredi të buta) do të shkojnë për investime përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).
3 miliardë eurot e tjera, janë në formën e kredive të buta për qeveritë në Ballkanin Perëndimor, me kusht që ato të përmbushin Agjendat e Reformës.
Për të përfituar nga fondet, secili vend i Ballkanit Perëndimor do të duhet të përgatisë një Agjendë Reformash, në mënyrë të veçantë ato në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit.
Pagesat do të bëhen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të paraqitura nga partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe pas verifikimit nga Komisioni për arritjen e kushteve dhe parakushteve përkatëse të pagesës, si stabiliteti makro-financiar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbajtja nën kontroll e buxhetit.
Nëse kushtet e pagesës nuk plotësohen, Komisioni pezullon ose zbret një shumë të caktuar nga fondi.
Secili prej 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të ketë 1-2 vjet kohë për të përmbushur kushtet, në të kundërt shuma do të rishpërndahet mes të tjerëve në vitet në vijim.
Me përthithjen e këtyre fondeve, në formën asistencës financiare për të ndihmuar reformat, ku 2 miliardë euro do të jenë grante dhe 4 miliardë euro kredi nga 2024 deri në 2027, Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të mund të integrohen paraprakisht në tregun e përbashkët evropian, duke lehtësuar jetën e individëve dhe bizneseve rezidentë në secilin shtet.
Por çfarë do të përfitojnë konkretisht qytetarët?
Me integrimin në tregun e brendshëm evropian, vlerësohet se vetëm nga ndryshimi i regjimit të transaksioneve financiare që bëjnë qytetarët shqiptarë që jetojnë në shtetet Evropiane, siç janë dërgesat e parave për familjet e tyre dhe për sipërmarrjet e tyre të vogla në Shqipëri, parashikohet që ata të mund të kursejnë mbi 20 milion euro në vit.
Nga ana tjetër, janë miliona euro që bizneset e rajonit dhe shpenzojnë ndërkohë që janë jashtë konkurrencës me kompanitë evropiane, të cilat për të njëjtat gjëra nuk ka nevojë të bëjnë shpenzime të tyre sepse shfrytëzojnë mekanizmat që janë brenda tregut të Bashkimit Evropian.
Plani i ri parashikon fillimisht integrimin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët, proces i cili do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e këtij tregu dhe paralelisht hapje e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.
Hapja e tregut rajonal parashikohet të rrisë Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të Ballkanit Perëndimor me 10 për qind.
Reformat janë një tjetër hallkë e rëndësishme e planit, çka nënkupton sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve të drejtpërdrejta të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal. Dhe në fund do të aplikohet shpërndaja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat, prej 6 miliardë eurosh.
Në kuadër të integrimit të rajonit, ka qenë edhe Procesi i Berlinit, një iniciativë e nisur në vitin 2015 që synoi rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.
Në vijim të saj, për të forcuar bashkëpunimin në rajon u ndërmor iniciativa tjetër “Ballkani i Hapur”, ku pjesë e saj u bënë vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Çfarë ndodh pas miratimit?
Pasi të miratohen, gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor do të ftohen të paraqesin agjendat e tyre individuale të reformave duke paraqitur reformat social- ekonomike dhe themelore që do të ndërmarrin për të nxitur rritjen dhe konvergjencën sipas Planit të Rritjes gjatë periudhës 2024- 2027. Konvergjenca ekonomike është një element thelbësor në afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Aktualisht, BPV-ja mesatare për kokë banori i rajonit qëndron ndërmjet 30% dhe 50% të mesatares së BE-së. Integrimi me tregun e vetëm të BE-së ka qenë shtytësi kryesor i rritjes ekonomike për të gjitha vendet që iu bashkuan BE-së. Ndikimi pozitiv në BPV-në e një vendi dhe nivelet e të ardhurave që rrjedhin nga integrimi me tregun e vetëm të BE-së është demonstruar qartë në të kaluarën.
4 shtylla kryesore të planit
- Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian;
- Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal;
- Përshpejtimi i reformave themelore;
- Rritja e ndihmës financiare.
Zbërthimi i 4 pikave
Rritja ekonomike
Pika e parë është rritja ekonomike që synon integrimin ekonomik me tregun e vetëm të BE-së, me kusht që Ballkani Perëndimor të përafrohet me rregullat e tregut të vetëm dhe hapja e fushave përkatëse për të gjithë fqinjët e tyre në të njëjtën kohë, në përputhje me Tregun e Përbashkët Rajonal.
“Fushat kryesore janë lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, zona e vetme e pagesave në euro, transporti, energjia dhe tregu i vetëm digjital”, thuhet në dokument.
Nxitja e integrimit
Nxitja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal, është një tjetër çështje që përfshihet në plan, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, të cilat potencialisht mund të shtojnë 10% në ekonomitë e tyre.
Përshpejtimi i reformave
Plani ka të bëjë edhe me përshpejtimin e reformave themelore, mbështetja e rajonit drejt anëtarësimit në BE, përmirësimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal.
Rritja e ndihmës financiare
Rritja e ndihmës financiare ka si qëllim për të mbështetur reformat themelore. Instrumenti prej 6 miliardë eurosh përbëhet nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare, me pagesë të kushtëzuar nga përmbushja e reformave specifike nga partnerët e Ballkanit Perëndimor.
Plani i Rritjes bazohet në Planin Ekonomik dhe Investues prej 30 miliardë eurosh, i nisur që në vitin 2020.