Kryeministri Albin Kurti ka shprehur një dedikim të veçantë për shkrimtarin e madh, Ismail Kadare, me rastin e lamtumirës së tij. Në një postim emocionues, Kurti e përshkruan Kadarenë si një shpirt krijues që ishte i të gjithëve dhe që e nderojnë sot.
“U ndamë prej trupit të tij që e mori arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar. Kumbues, zhbirues dhe bashkues është shpirti krijues i Kadaresë. Rend i gjatë: në një rresht njerëz nga të gjitha trevat dhe shtresat. Ishte i të gjithëve, andaj të gjithë e nderojnë sot”, tha Kurti.
Kurti vlerëson ndikimin e madh të Kadare-së në letërsinë shqipe dhe thekson se romanet e tij janë një pasqyrë e historisë dhe kulturës. Ai rrëfen se brezi i tij është rritur me veprat e Kadare-së, duke filluar nga “Princesha Argjiro” në shkollën fillore, “Kështjella” në gjimnaz, dhe më pas duke lexuar çdo roman të tij që i binte në dorë.
“Jeta e tij është e përjetshme (për ne) sepse veprat e tij janë të pashtershme (edhe për ata pas nesh). Pusho i qetë, shkrimtari ynë i madh. Le të qetësohemi dhe shqetësohemi ne me veprën tënde,” përfundon Kurti.