Kryeministri i vendit dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie ka përmendur Adem Demaçin e Astrit Deharin, ku për këtë të fundit kërkoi drejtësi.
Kurti tha se ish-aktivisti i VV-së, Astrit Dehari, është viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur, ndërsa Demaçin e cilësoi si vigan të rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave e serbe.
“Të dy janë busulla të Lëvizjes sonë dhe për sa kohë që të jetoj kujtimi i tyre në zemrat tona, për aq kohë do të jehojë edhe Lëvizja. Nuk e humbim rrugën, për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si ata. Lavdi dhe nderim për udhërrëfyesin kombëtar, Adem Demaçin, kujtim dhe drejtësi, me çdo kusht e deri në fund për shokun tonë, Astrit Deharin”, është shprehur Kurti.