I NXEHTI AFRIKAN DREJT FUNDIT
Vendi ynë është mbërthyer, për të dytën ditë me radhë, nga vala afrikane e të nxehtit.
Juglindja e vendit, Gjevgjelia, Bogdanci dhe Dojrani, dje dhe sot, janë në fazën portokalli, pjesa tjetër e vendit në alarmin e verdhë.
Qeveria miratoi masa për parandalimin e pasojave nga vala e të nxehtit. Në viset me alarm-portokalli lirohen nga puna gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjec, kurse nëpër cerdhet e fëmijëve rekomandohet që të mos praktikohen aktivitete fizike dhe të shmangen ambientet e hapura nga ora 11.00 deri 17.00.
Vala e të nxehtit ka shkaktuar edhe praninë e shtuar të gjarpërinjve nëpër vendbanime.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kanë bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes dhe në rast se kafshohen nga gjarpërinjtë të paraqiten në numrin 112 ku do të lidhen me Urgjencën.
Por, shërbimi metereologjik paralajmëron se nga e enjtja pritet ndryshimi I motit.
Sipas meteo-alarmit, nesër në orët e mbrëmjes dhe të premten, nën ndikimin e një mase të lagësht dhe jostabile ajrore, nëpër shumë vende do të ketë mot jostabil me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe shkarkime të fuqishme elektrike, kurse lokalisht proceset do të jenë më intensive në formë të motit të lig, me erë të fuqishme dhe kushte për paraqitje të breshërit.
Metereologët thonë se ndryshimi I paralajmëruar I motit do të rezultojë me uljen e temperaturave për 10 gradë. /tvklan.mk/