Ora 18:53 – Gjykata e Apelit ka vendosur që të kthejë në Shkallë të Parë vendimin e dhënë nga gjykatësi Agron Zhukri për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
Gazetarja Glidona Daci, e cila prej orën 11:00 të ditës së sotme ka ndjekur procesin nga afër tha se “vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është se dha të drejtën për legjitimimin e Enkelejd Alibeajt në këtë proces, por Apeli tha se do të duhet që kjo çështje të rikthehet edhe njëherë për rigjykim në Shkallë të Parë ku do të duhet të shprehet kjo gjykatë, duke qenë se tashmë vendimin i dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri është shpallur nul”.
Përfaqësuesi ligjor i grupimit Alibeaj, Endrit Sefa, tha në një prononcim për mediat pas vendimit se ankimimi i tyre u pranua dhe çështja do të kthehet në Gjykatën e Tiranës. Sipas tij, PD vazhdon të drejtohet nga organet legjitime të saj dhe do të regjistrohet të hënën në KQZ.
Endrit Sefa: Së pari dua t’ju falënderoj për prezencën tuaj dhe për këtë seancë maratonë. Sot Gjykata e Apelit vendosi rikthimin e çështjes në Shkallë të Parë, me një tjetër trupë gjykuese, praktikisht ankimi ynë i grupimit Alibeaj u pranua nga Gjykata dhe çështja do kthehet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. PD vazhdon të drejtohet nga organet legjimite të saj, do regjistrohemi të Hënën në KQZ.
Sefa u shpreh se afatin e përcakton gjykata se kur do të shqyrtohet kjo çështje në Shkallën e Parë.
Endrit Sefa: Organet legjitime do të vazhdojnë të administrojë të gjithë infrastrukturën e Partisë Demokratike. PD ka vetëm një seli. Nuk është betejë për zyra, as për vula, por për legjitimitetin.
Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi këtë të premte që të rikthejë në Shkallën e Parë vendimin e dhënë nga gjykatësi Zhukri dhe për të pranuar palën e Alibeajt, si palë në gjykim.
***
Të gjitha zhvillimet
Ora 16:33 – Ka përfunduar seanca gjyqësore për vulën dhe logon e Partisë Demokratike. Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se shyqrtimi gjyqësor përfundoi pas 5 orëve dhe se trupa gjykuese e Apelit është tërhequr për të marrë vendimin.
“Trupa gjykuese është tërhequr për vendim, por ende nuk kanë caktuar një orë se kur do dalin nga Dhoma e Këshillimit”, u shpreh Daci.
Mësohet se përfaqësuesi ligjor i Enkeled Alibeajt, Endrit Sefa ka kërkuar prishjen e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, kthim për rigjykim ose pushim të çështjes, ndërkohë pala tjetër pretendon se grupimi Alibeaj nuk janë të ligjshëm.
Ora 16:28 – Gjykata tërhiqet për vendim
-Ivi Kaso thotë se nuk duhet të legjitimohet në ankim pala dhe kërkoi rrëzimin e ankimit të cilin e konsideron të pabazuar në ligj dhe në prova.
-Endrit Sefa kërkon prishjen e vendimit të Shkallës së Parë, pushimin e gjykimit ose kthimin për gjykim në Shkallë të Parë.
Ora 16:26 – Mbyllet shqyrtimi gjyqësor i çështjes
Ora 15:35 – Caktohet pushim, seanca rifillon në orën 16:00.
-Përfaqësuesi i grupit Alibeaj, Endrit Sefa, nisi fjalën e tij në seancën në themel.
-Gjykata vendosi në Dhomë Këshillimi që të shprehet në fund për të gjitha kërkesat.
–Gjykata e Apelit tërhiqet për vendim të ndërmjetëm për t’u shprehur për kërkesën paraprake të bërë nga Ivi Kaso për moslegjitimimin e grupit Alibeaj.
-Indrit Sefa: Dua t’i bëj ca pyetje palës kërkuese. E para, pala pretendoi faktin që nuk është përdorur nga PD asnjë mjet procedurial për të ndëhyrë në gjykim. Neni 189: Kushdo mund të ndërhyjë në një proces gjyqësor kur pretendon, duke ngritur padi.
-Ivi Kaso kërkon që të mos legjitimohet grupimi i Enkelejd Alibeajt dhe të rrëzohet kërkesë-padia.
-Ivi Kaso: Enkelejd Alibeaj nuk është konfirmuar asnjëherë në detyrë. Pasi nuk është mbledhur Këshilli Kombëtar i Partisë Demokatike për ta zgjedhur atë kryetare. Alibeaj është komanduar në detyrë përmes një deklarate nga Sekretari i Përgjithshëm i cili është shkarkuar nga Kuvendi i 11 Dhjetorit.
-Ivi Kaso: Nuk duhet të ishte pranuar ankimi i deputetit Enkelejd Alibeaj duke qenë se personi që ka paraqitur ankimin nuk ishte palë në proces.
-Indrit Sefa: Ky nuk është momenti për të bërë këto kërkesa, pasi nuk jemi në këtë fazë proceduriale. Gjykata duhet t’i shqyrtojë të gjitha elementet në tërësinë e saj. Komisioni i Rithemelimit nuk ka autoritetet juridik dhe duhet të ketë prokurë të posaçme që në momentin e parë që i është drejtuar gjykatës. Edhe Shkalla e Parë ka gabuar kur është legjitimuar Ivi Kaso për të paraqitur padinë në Shkallën e Parë. Ka një konfondim, a ka legjitimitet Komisioni i Rithemelimit?
-Ivi Kaso kërkesë paraprake: Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet. Sipas nesh vendimi gjyqësor që e ka lejuar ankuesin është marrë në kundërshtim të ligjit.
-Ivi Kaso: Gjykata është investuar nga një palë jo legjitime në këtë proces.
–Ivi Kaso: Kërkoj që gjykata të mos e pranojë padinë sepse gjykata është vënë në lëvizje nga një palë që nuk është pjesë e procesit.
-Përfaqësuesit ligjorë të Enkelejd Alibeajt kërkojnë prishjen e vendimit ose kthimin e çështjes për rigjykim në Shkallë të Parë.
***
Treshja e gjyqtarëve Elona Mihalin, Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja do të vendosë sa i përket ankimit të Partisë Demokratike ndaj vendimit të 25 Marsit 2022 të gjyqtarit të Shkallës së Parë, Agron Zhukri.
Grupi i Sali Berishës përfaqësohet nga Ivi Kaso, Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia.
Grupi Enkelejd Alibeajt përfaqësohet nga Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi.
/tvklan.al