Sipas rezultateve të fundit të publikuara nga KSHZ-ja, pas 99.6% të votave të numëruara, VMRO – DPMNE ka fituar 58 mandate në përbërjen e re parlamentare.
Si forcë e dytë politike në vend renditet Fronti Evropian që udhëhiqet nga BDI-ja me 19 mandate.
Në këto zgjedhje LSDM-ja fitoi 18 mandate, kurse koalicioni VLEN i opozitës shqiptare – 13 mandate.
Nga 6 mandate kanë fituar partia “E Majta” e Apasievit dhe Lëvizja “Znam” e Maksim Dimitrievskit.
Në zgjedhjet parlamentare të 8 Majit, VMRO-DPMNE-ja fitoi 431.251 vota apo 43.23%
LSDM-ja 153.250 apo 15.36%,
Fronti Evropian – 137.486 apo 13.78%
Koalicioni VLEN – 106.991 apo 10.72%
“Levica” – 67.338 apo 6.75% dhe
Lëvizja “Znam” 55.539 vota apo 5.57%.
Presidenti i vendit, 10 ditë pas konstituimit të Kuvendit, është I obliguar që mandatin për përbërjen e re qeveritare t`ia dorëzojë kandidatit të partisë që ka shumicë në Parlament.
Mandatari, nga ana tjetër, ka afat prej 20 ditë që në Kuvend ta paraqesë programin dhe të propozojë përbërje e re të Qeverisë.
Qeveria zgjidhet nga Kuvendi me shumicë votash apo 61 deputetë.
Zgjedhjet e 8 majit ishin zgjedhjet e 11-ta me radhë parlamentare në Maqedoni.