KSHPK: Do të verifikojmë dhe veprojmë për “pronat sekrete”

“TË MIRATOHET LIGJI PËR ORIGJINËN E PRONËS

Komisioni për Parandalim të Korrupsionit edhe sot ka bërë thirrje që automatikisht të lidhen softuerët e më shumë institucioneve, por edhe të miratohet ligj për prejardhjen e pronës, me qëllim që në mënyrë efikase të ndiqet dhe eventualisht të sanksionohet ndryshimi i gjendjes së pronës së funksionarëve shtetërorë dhe personave të emëruar. Për katër persona, të afërt me partinë në pushtet LSDM, për të cilët opozitarja VMRO-DPMNE sot ka bërë publike të dhëna për gjendjen e padeklaruar të pronës, anëtarët e Antikorrupsionit do të veprojnë sipas informacioneve të  tyre, por i bëjnë thirrje partisë që të gjitha gjetjet që i posedon t’i dorëzojë në Komisionin Shtetëror.

Në qoftë se nuk i dorëzojnë të dhënat me të cilat disponojnë për pronë të padeklaruar të funksionarëve shtetërorë dhe persona të emëruar nga pushteti në pozita të ndryshme, Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit do të veprojë sipas njoftimit dhe do të verifikojë nëse në aferën e VMRO-DPMNE-së “Pronat e fshehta” vërtetë fshihen shkelje.

“Të gjitha të dhënat që i kanë qytetarët dhe partitë politike duhet t’i dorëzojnë te ne dhe ne sigurisht që do të veprojmë”, deklaroi Shemsi Sallai, KSHPK.

“Ne i ndjekim edhe publikimet ne media, nga ajo që publikohet, si Komision veprojmë. Edhe në këtë rast, edhe në rastet tjera që do të publikohen, nuk kemi asnjë problem t’i verifikojmë pretendimet”, deklaroi Goran Tërpenoski, KSHPK.

Sipas Kryetares së Antikorrupsionit është momenti i fundit për lidhje teknologjike të bazave të të dhënave në mes institucioneve, që do ta përshpejtojë procesin.

“Kur do të funksionojë softueri, kur në mënyrë automatike do të selektojë të dhëna edhe nga institucionet, menjëherë do të paraqitet flamur i kuq për atë kush ka dorëzuar të dhëna të gabuara, kush nuk ka dorëzuar të dhëna e kështu me rradhë”, deklaroi Biljana Ivanovska, KSHPK.

Nga Komisioni për Parandalim të Korrupsionit vërejnë se edhe ata që denoncojnë pretendime për shkelje, i anashkalojnë obligimet ligjore.

“Pikërisht ata që sot akuzojnë, asnjëherë vetë nuk e kanë plotësuar obligimin, përmes formularit adekuat, të dorëzojnë të dhëna për personat e emëruar dhe të zgjedhur. Prej kur kemi ardhur kemi gjetur gjendjen e njëjtë dhe për fat të keq deri më sot është e njëjtë”, deklaroi Nuri Bajrami, KSHPK.

Anëtarët e Antikorrupsionit insistojnë për miratimin e Ligjit për prejardhjen e pronës, me qëllim që të punohet në mënyrë më efikase, por edhe të konfiskohet prona. Nuk pajtohen me pohimin se edhe rregulloret aktuale ligjore e mundësojnë këtë, sepse pohojnë se tani nuk janë në gjendje ta trajtojnë pronën e personave të afërt me personat e emëruar në pozita shtetërore./KlanMacedonia/

Gazetare: Biljana Georgievska

Lexo gjithashtu
Total
0
Share