ISH-AVOKATI I SHTETIT KA DENONCUAR ANËTAR TË KSHPK-së PËR “HAKMARRJE”
Punësimi i prezantueses Besmira Ejupi në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka ngritur pikëpyetje të reja në Komisionin Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, prej ku para pak kohësh u shqiptuan iniciativa për ndjekje penale të udhëheqësve të katër komunave dhe ishavokatin e shtetit për shkak të lidhjes së marrëveshjeve me të për angazhim të jashtëzakonshëm me pagesë. Si shembull për mosveprimin e institucioneve me qëllim që të ulet korrupsioni në vend, Kryetarja e Antikorrupsionit, Biljana Ivanovska, theksoi se Enti Shtetëror i Revizionit nuk ka verifikuar shpenzimet e Qeverisë qe 13 vite.
Asnjë nga rekomandimet e anëtarëve të Antikorrupsionit për përgjegjësi penale të katër kryetarëve të komunave dhe ishavokatit të shtetit, për shkak të angazhimit të jashtëzakonshëm me pagesë të prezantueses Besmira Ejupi, deri më tani nuk është realizuar, përkatësisht vetëm komuna e Bërvenicës është përgjigjur se “masa e KSHPK-së është e pabazë”. Për këtë arsye Avokatura e Shtetit, si kundërpërgjigje, ka dorëzuar denoncim në KSHPK, me pohimin e anëtarja Katica Nikolovska, e cila e ka punuar në lidhje në këtë lëndë, masat i ka shqiptuar “si hakmarrje për shkak të ngecjes në karrierën e bashkëqytetares së saj nga Velesi”. Kjo i ka hidhëruar anëtarët e Antikorrupsionit, raporton Klan M.
“Është vërtetuar se nuk ka as afërsi, nuk janë farefis, nuk ka asnjë lidhje, por ka lidhje të shpikur pasi avokati i shtetit është informuar se është ngritur iniciativë kundër tij në rastin me Besmira Ejupin. Është turp për një person zyrtar të shërbehet me pretendime të tilla kundër një anëtari të KSHPK-së” – deklaroi Nuri Bajrami.
Këmbënguljet për karrierë të dukshme të prezantueses Ejupi kanë ngritur edhe çështje të reja te anëtarët e Antikorrupsionit: a do të reagojnë tani në lidhje me punësimin e saj në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nga ku krahas pyetjeve të gazetarëve, konfirmim nuk pati.
“Informacioni e kemi marrë gjatë fundjavës, ndërsa sot do të mbajmë seancë, që do të thotë ne paraprakisht nuk kemi biseduar për këtë çështje, por duke pasur parasysh që interesi është i madh, sigurisht që do t’i kushtojmë rëndësi, nëse ka pasur shpallje, nëse ka pasur kandidatë të tjerë, në çfarë mënyre është zgjedhur personi” – tha Biljana Ivanovska.
Në seancën e sotme anëtarët e KSHPK-së diskutuan për dhjetëra denoncime për korrupsion të mundshëm, por sërish konkluzioni ishte se institucionet nuk e kryejnë punën e tyre, si për shembull Prokuroria Publike në Gostivar, ku denoncimi për uzurpim ndërtimor është ruajtur në sirtar për tre vite, ose verifikimi i shpenzimeve të Qeverisë, për ngjarje si “Ballkani i Hapur” në Beograd, me faturë rreth 400 mijë euro.
“Kur bëhet fjalë për shpenzimin e mjeteve financiare më në fund Enti Shtetëror i Revizionit le të shkojë të bëjë një revizion financiar të Qeverisë, 13 vite nuk ka kryer revizion atje” – tha Ivanovska.
Lënda për të cilën institucionet gjithashtu nuk veprojnë, sipas KSHPK-së, është ndërtimi i ndërtesave shumëkatëshe afër Holiday Inn në qendër të Shkupit, ku tashmë janë bërë publike shpalljet për shitje të banesave, ndërsa Prokuroria Publike ende kryen “ekspertizë” të denoncimit për anashkalimin e ligjeve për ndërtim, shtoi Ivanovska. /KlanMacedonia/