Kryeministrja Meloni i viziton zonat e goditura nga përmbytjet e fundit në Itali

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka vizituar rajonin verilindor të vendit të saj pas përmbytjeve që vranë të paktën 14 persona dhe shpërngulën mijëra të tjerë.

Meloni vizitoi të dielën shtëpitë e dëmtuara në Italinë verilindore, pasi u kthye herët nga samiti i G7-ës në Japoni.

Ajo i takoi të prekurit, pronarët e shtëpive, si dhe vullnetarët e shumtë, shkruan Euronews, transmeton Klankosova.tv.

“Ju po bëni një punë të shkëlqyer,” i tha Meloni një banori në Ghibullo, i cili po dhuronte ushqim për të pastrehët e sapodalë, sipas një video të postuar nga mediumi italian “Rai”.

Ndërsa 36,000 njerëz u zhvendosën si pasojë e shirave të pandërprerë në Emilia Romagna në fillim të kësaj jave, rreth 10,000 persona që atëherë kanë qenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre.

Moti ekstrem shkaktoi dëme të mëdha dhe goditi rëndë fermerët në një zonë ku kultivohen drithëra dhe fruta. Deri të dielën, shiu ishte ndalur në shumicën e vendeve, megjithëse një alarm për motin u zgjat deri të hënën.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share