Monika Kryemadhi nga Partia e Lirisë dhe Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike ishin këtë të enjte në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku folën në lidhje me koalicionin “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 Majit. Kryemadhi dhe Bylykbashi bënë me dije se koalicioni do funksionojë si lokal pasi jemi në zgjedhje vendore. Kryemadhi u shpreh se në çdo bashki lideri i koalicionit do të jetë kandidati për kryetar bashkie.
-Pse do funksionojë kjo martesë mes jush?
Monika Kryemadhi: E para njëherë nuk është çështje martese, është bashkëjetesë mund ta quajmë. E dyta nuk është thjeshtë katër emra partish aty. Ne gjithmonë jemi marrë me teknikalitete dhe jo me thelbin e gjërave. Këto janë teknikalitete, duan s’duan njerëzit që janë me Edi Ramën do ia bëjnë deri në fund shërbimin Edi Ramës. Mediat që janë me Edi Ramën, prapë do ia bëjnë shërbimin deri në fund. Ajo që mendoj se është sot më e rëndësishme është fokusimi tek mesazhi dhe tek lideri i koalicionit. A e dini ju kush është lideri i koalicionit?
-Kush është lideri i koalicionit?
Monika Kryemadhi: Për mua në Tiranë është Belind Këlliçi. Në çdo bashki lider koalicioni është kandidati për kryetar bashkie.
-Pra koalicioni do funksionojë si lokal? Pra kandidati lokal do të jetë kryetari i koalicionit?
Monika Kryemadhi: Sigurisht sepse jemi në zgjedhje lokale.
-A është kjo një tentativë për të shmangur Berishën dhe Metën?
Monika Kryemadhi: Kryetari i koalicionit i Bashkisë së Tiranës është Belind Këlliçi dhe atje mblidhen të gjithë ata që nuk e duan Erion Veliajn.
-Si do bëhen këshillat bashkiakë?
Monika Kryemadhi: Do jenë çështje teknike, do zgjidhen, nuk ka asnjë lloj problemi./tvklan.al