Kriza politike në Mal të Zi – drejt Brukselit apo drejt Beogradit?

VUJOVIQ: KISHA SERBE ENDE KA NDIKIM NË POLITIKË

Të paktën dy skenarë janë të mundshëm në zhvillimin e krizës politike në Malin e Zi pasi gjatë ditës së djeshme mbështetjen për koalicionin qeveritar e ka tërhequr Partia Demokratike e Socialistëve, e Presidentit Millo Gjukanoviq, e pakënaqur nga miratimi i draft-Marrëveshjes themelore me Kishën Ortodokse Serbe. E para është që shumica e përhershme parlamentare ta rikonstruojë qeverinë, ndërsa e dyta është që Kryeministri Dritan Abazoviq të formojë shumicë të re në të cilën Partia Demokratike e Socialistëve do të zëvëndësohet me subjekte të tjera politike. Opsioni i tretë – zgjedhje të reja parlamentare, për momentin nuk është i mundur për shkak të kuorumit të pamjaftueshëm në Gjykatën Kushtetuese në Malin e Zi.

Marrëveshja themelore me Kishën Ortodokse Serbe, të cilën kabineti i Kryeministrit malazez Dritan Abazoviq e miratoi të premten, dy ditë më pas e rrëzoi mbështetjen për qeverinë e tij, ndërsa tani kërkohen mënyra për dalje nga kriza e re politike në vend. Analisti politik Zllatko Vujoviq konsideron se çështja kyçe është nëse partia më e vogël “Partia Demokratike Mali i Zi”  do të jetë e gatshme ta rrëzojë qeverinë dhe kjo të shpie në zgjedhje të reja parlamentare, duke pasur parasysh marrëdhëniet e këqija të partisë së Kryeministrit URA dhe SNP nga koalicioni qeveritar.

“Do të ishte logjike që ata të votojnë për të rrëzuar qeverinë, pa marrë parasysh atë që do të ndodhë më pas. Nga ana tjetër është i dukshëm dhe i qartë, si edhe deri më tani, ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe dhe partisë “Mali i Zi Demokratik” . Nga reagimet e sotme ndoshta më interesanti është ai i Kishës Ortodokse Serbe, i cili në njoftim i jep mbështetje Qeverisë së Malit të Zi dhe atyre që e kanë mbështetur nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore ashtu siç e ka caktuar Kisha Ortodokse Serbe. Do të thotë pritet që Kisha Ortodokse Serbe vazhdon të luajë rolin e aktorit politik në vend dhe provon të ndikojë në atë si do të jetë përbërja e qeverisë malazeze”, deklaroi Analisti Zllatko Vujoviq

Kjo krizë sërish e ka vënë në provim Malin e Zi, a do të ecë në rrugën që shpie drejt Serbisë dhe Rusisë ose drejt Bashkimit Evropian. Partia Demokratike e Socialistëve në reagimin e saj tërheqjen e mbështetjes e argumentoi me “largim nga rruga evropiane”.

“Pa kalkulime e kemi mbështetur qeverinë, duke menduar se BE-ja është qëllimi ynë i përbashkët. Tani, kur për fat të keq, është e qartë se nuk është ashtu, vazhdojmë pa kalkulime të luftojmë për këtë qëllim” deklaruan nga Partia Demokratike e Socialistëve

Se Mali i Zi vazhdon të jetë poligon i ndikimit të aktorëve politikë rajonalë dhe ndërkombëtarë, sipas Vujoviqit tregon ndikimi i mëtejshëm nga vendet fqinje.

“Tani e shohim se nuk është vetëm Presidenti Vuçiq ai që përpiqet të ndikojë në proceset politike në Mal të Zi, por këtë e ka bërë edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili përpiqet së bashku me Vuçiqin të ndikojë në formimin e qeverisë dhe marrjen e vendimeve,” deklaroi Analisti Zllatko Vujoviq

Për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Mal të Zi është e nevojshme marrëveshje për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese e cila për momentin punon me katër, në vend të shtatë gjykatësve./KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share