HOTI: S’KA NISUR ASNJË PROJEKT, JANË SHPENZUAR VETËM 79 MILIONË EURO
Mungesa e investimeve kapitale, lënia pa nevojë e më shumë se 200 milionë eurove në llogarinë bankare të Qeverisë, janë disa nga kritikat që i përmend ish-kryeministri Avdullah Hoti për Qeverinë e Kosovës, udhëhequr nga Albin Kurti. Hoti në një intervistë për Ekonomia Online ka deklaruar se rënia e drastike e investimeve kapitale ka dëmtuar rëndë ekonominë vendëse, dhe si e tillë janë shpenzuar vetëm 79 milionë euro nga 728 milionë euro gjithsej sa janë të parapara në buxhet.
“Rënia e investimeve kapitale është më i ulëti në shumë vite. Edhe në kohën e pandemisë kur kemi qenë të mbyllur të vitit 2020 dhe në pjesën e parë të vitit 2021, ka pasur më shumë investime kapitale sesa që kemi pa tash këto gjashtë muajve. Raporti tregon se afro 11 për qind janë shpenzimet kapitale, që në total janë 79 milionë prej 728 milionë sa janë të parapara në buxhet. Efekti i këtyre ndihet në ekonomi sepse në bazë të trendit normal në ekonomi mungojnë gati edhe 150-200 milionë euro shtesë që është dashur të qarkullonin në ekonomi, dhe sigurisht pasojat i dimë edhe në të ardhura dhe në qarkullim të ndërmarrjeve e në aktivitetet e përgjithshme ekonomike në vend”, deklaroi Avdullah Hoti, ish-kryeministër i Kosovës.
Projekte madhore, thotë Hoti nuk ka në këtë Qeveri, madje as për ato projekte me të cilat ka garuar në zgjedhje, siç janë banimi social e ndërtimi i një numri të madh të çerdheve. Përmend premtimet e projekteve kryesore në Kosovë, siç është rruga Prishtinë-Podujevë, rruga Prishtinë-Mitrovicë e rruga Dollc-Gjakovë./KlanMacedonia/