Telefonata e sulmuesit belg me drejtorin sportiv Ausilio, klubi e ka humbur besimin
Ka një krisje Inter-Lukaku! Sulmuesi belg prej ditësh nuk ishte bërë i gjallë për drejtuesit zikaltër, e kjo solli shqetësime.
Por heshtja e tij e kishte një arsye! Belgu tentoi të merrte kohë nga zikaltrit, pasi i ka dhënë fjalën rivales më të madhe historike, Juventusit.
Drejtori i ri sportiv i “Zonjës së Vjetër” Kristiano Xhuntoli i kërkoi belgut 10 ditë kohë, ndërsa në tavolinë i ka paraqitur një kontratë tunduese. Lukaku do të përfitojë 12 milionë Euro në një sezon, shifër kjo më e lartë se sa ajo që Interi i ka propozuar.
Kur kjo u mor vesh tek Interi, reagimi ishte i ashpër. 30-vjeçari tentoi që të fliste me Piero Ausilion në mbrëmjen e së premtes. Por drejtori sportiv nuk e lejoi fare të shpjegohej.
Zhgënjimi dhe inati në klubin zikalër për atë që kishin zbuluar është mjaft i madh dhe vendimi është marrë.
Interi ka vendosur që të heqë dorë nga Lukaku dhe do të tërhiqet nga bisedimet me Chelsea, raporton sportmediaset.
Zikaltrit e kishin arritur akordin me Chelsea, 35 milionë Euro shto këtu edhe 5 të tjera bonus për sulmuesin.
Por flirtimi i tij me Milanin, e pastaj me rivalin historik më të madh, Juven, ka bërë që gjithçka të ndryshojë.
Zikaltrit duan një lojtar që t’i dojë ngjyrat, korrekt e besnik, e Lukaku tregoi se nuk i ka këto veti.
Tifozët zikaltër janë zhgënjyer me veprimin e belgut, por edhe ata juventinë e konsiderojnë absurde zëvendësimin e Vlahoviçit me 30-vjeçarin.
Klan News