Krishtlindje në një botë të trazuar nga luftrat

Për herë të parë Ukraina feston këtë 25 Dhjetor sipas kalendarit Gregorian

Të krishterët anembanë botës morën pjesë në meshën e Krishtlindjeve për të lënë mënjanë shqetësimet dhe frikën ndaj një bote të paqëndrueshme, të shkatërruar nga lufta.

Papa Françesku në mesazhin e tij teksa kryesoi meshën solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit për Krishtlindjet e cilësoi luftën Izrael-Hamas një luftë të kotë në Tokën e Shenjtë.

“Zemrat tona janë në Betlehem, teksa paqja i ka lënë vendin logjikës së kotë e luftës, nga përplasja e armëve që e pengon të gjejë vend në këtë botë. Por nëse shikoni në zemrën tuaj dhe mendoni për këtë botë që është kaq gjykuese dhe e pafalshme, e keni të vështirë të festoni këtë Krishtlindje.”

Në meshën papale para mijëra njerëzve në Bazilikën e Shën Pjetrit, Françesku tha se mesazhi i vërtetë i Krishtlindjes është paqja dhe dashuria, duke u bërë thirrje njerëzve që të mos jenë të fiksuar pas suksesit.

Ndërkaq shumë të krishterë ortodoksë ukrainas festojnë Krishtlindjet për herë të parë këtë vit këtë 25 dhjetor sipas kalendarit Gregorian. Ukraina ka përdorur tradicionalisht kalendarin Julian, i përdorur edhe nga Rusia, ku Krishtlindjet festohen më 7 janar. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndryshoi ligjin në korrik, duke thënë se kjo do t’u lejojë ukrainasve të braktisin trashëgiminë ruse të festimit të Krishtlindjeve në janar.

Në mesazhin e tij drejtuar kombit përpara kompleksit të famshëm të manastirit Pechersk Lavra të Kievit për këtë festë të shenjtë, presidenti ukrainas u shpreh se kjo luftë e errët do të humbasë.

“Ne lutemi për fundin e luftës, lutemi për fitoren. Ne do ta bëjmë këtë edhe sot, pavarësisht se ku jemi, pavarësisht se ku shënojmë Krishtlindjet. Ne shënojmë Krishtlindjet të gjithë së bashku, në të njëjtën datë si një familje e madhe, si një komb, si një vend i bashkuar.”

Betlehemi kur dikur gëlonte nga njerëz dhe turistë nga e gjithë bota, këtë Krishtlindje është shndërruar në një qytet fantazmë. Artistja palestineze Rana Bishara shpalosi një instalacion që tregonte foshnjën Jezus brenda një inkubatori rrethuar nga gjembat e kaktusit përpara Kishës së Lindjes në Betlehem në solidaritet me fëmijët e Gazës.

Bishara u shpreh se nuk do të ketë Krishtlindje mes palestinezëve për aq kohë sa Izraeli bombardon Gazën, ndërsa theksoi se ky instalacion përfaqëson dhjetëra fëmijë që lindën parakohe pas luftimeve.

Ndërkaq Patriarku latin i Jerusalemit Pierbattista Pizzaballa drejtoi meshën e Krishtlindjes në Kishën e Lindjes së Krishtit, në Bregun Perëndimor. Pizzaballa udhëtoi për në Betlehem përmes pengesës ndarëse të ndërtuar nga Izraeli. Ai u përshëndet nga pak palestinezë, pasi këtë vit u vendos që të mos kishte Krishtlindje për shkak të masakrës që ndodhi vetëm 50 km larg.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share