Krerët e shtetit urojnë ditën e Alfabetit shqip

PROF.DR AGIM VINCA DHE AHMET SELMANI FITUES TË ÇMIMIT SHTETËROR “22 NËNTORI”

Unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe para 115 vjetësh, pikërisht në Manastirin tonë, si hap kyç për kodifikimin e gjuhës shqipe, është pa dyshim një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve – thuhet në urimin në gjuhën shqipe të Presidentit Stevo Pendarovski, me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

“Frutat e këtij akti krucial politik dhe kulturor i gëzojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë.  Jemi krenarë që sot bashkësia shqiptare është pjesë e pandashme e Republikës shumëkulturore dhe shumetnike së Maqedonisë së Veriut”

Në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin e tij, këtë festë e ka uruar edhe Kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

“Gjuha është vegël e fuqishme e cila na bashkon ndër vete, kurse në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si vend në të cilin kultivohen dhe respektohen të gjitha dallimet, është vlerë e shtuar e cila bashkon edhe njerëz edhe ide, kontribuon në përparimin dhe zhvillimin e shtetit” 

Nga Qeveria kanë njoftuar se Kryeministri Dimitar Kovaçevski do të jetë pjesëmarrës dhe do të mbajë fjalim në Akademinë Solemne me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip.

Këtë festë, shqiptarëve ua ka uruar edhe VMRO-DPMNE-ja.

“Sot para 115 viteve në Manastir, që atëherë ishte selia e Vilajetit të Manastirit të Perandorisë Otomane që përfshinte territore të Shqipërisë së sotme lindore, për herë të parë unifikohet gjuha shqipe, në bazë të dialektit të Elbasanit. Maqedonia dhe populli maqedonas si fqinj të tyre dhe bashkëqytetarë çdoherë kemi qenë miq të tyre dhe kjo miqësi vazhdon sot e kësaj dite” – thonë nga VMRO-DPMNE.

Ndërkaq, në Kuvend është ndarë çmimi shtetëror “22 Nëntori” për vitin 2023 për mirënjohjen e njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë kontribuar në avancimin e bashkëjetesës ndërnjerëzore dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet pjesëtarëve të bashkësive, kulturave dhe feve të ndryshme në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Fitues të çmimit “22 Nëntori” për vitin 2023 janë: prof. dr. Agim Vinca, studiues dhe shkrimtar dhe Amet Selmani, shkrimtar.

Ndryshe, sipas Ligjit për festa të Maqedonisë së Veriut, 22 nëntori është ditë jopune për shqiptarët. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share