Krasniqi: Targat nuk janë më të rëndësishme sesa marrëveshja finale

Në një intervistë për Zërin e Amerikës kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi thotë se vendi i tij ndodhet përballë një situate të pashembullt në pjesën e veriore, pas largimit të komunitetit serb nga të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës.

Krasniqi, i cili ndodhet këto ditë në Uashington për takime me zyrtarë amerikanë, thotë se të gjithë ata që përcjellin zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë, presin përqëndrimin në arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë. Çështja e pazgjidhur targave është shndërruar në epiqendër të tensioneve. Qeveria e Kosovës po zbaton shkallë-shkallë këtë vendim, megjithë thirrjet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për ta shtyrë atë me dhjetë muaj.

Krasniqi thotë se çështja e targave nuk mund të jetë më e rëndësishme sesa marrëveshja finale. Ai thekson nevojën për koordinim me Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se gjatë gjithë viteve, jo vetëm të ekzistencës së shtetit të Kosovës, por sidomos në kohërat më të vështira të historisë së vendit, deri tek pavarësia e shtetndërtimi, të gjitha kanë qenë procese që kanë ndodhur vetëm falë koordinimit dhe përafrim të qëndrimeve me Uashingtonin. Me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bisedoi gazetarja e Zërit të Amerikës Menada Zaimi.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share