Krasniqi dyshon se mund të ketë marrëveshje të fshehtë për Pantiqin: Kurti të tregojë nëse ka qenë i përfshirë

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, në një intervistë për Ekonomia Online ka komentuar zbutjen e masës së sigurisë për ish-policin Dejan Pantiq, nga paraburgimi në arrest-shtëpiak.

Krasniqi tha se ky vendim mund të ndërlidhet me një marrëveshje të fshehtë të Qeverisë, në mënyrë që të hiqen barrikadat në veri.

Sipas tij, nëse ekziston diçka e tillë atëherë Qeveria duhet që ta arsyetojë këtë vendim, duke shtuar se kryeministri Albin Kurti nuk ka nevojë të fshihet, por duhet të tregohet i sinqertë me qytetarët.

Ai shton se vendimi për Pantiqin është tejet konfuz, duke marrë për bazë që ai është i akuzuar për terrorizëm.

“I takon Qeverisë që të dal e të shpjegoj a ka qenë e përfshirë në diçka të tillë, sepse ajo që është diskutuar plotë herë gjatë ditëve të fundit që Qeveria duhet të pajtohet me lirimin e të arrestuarit Pantiq në arrest shtëpiak në mënyrë që të të hiqen barrikadat. Nëse kjo është një marrëveshje e fshehur që e ka bërë Qeveria, mirë është që të na tregoj që ta arsyetoj këtë vendim”.

“Edhe pse në Kosovë pushtet janë të ndara, Qeveria nuk duhet të pretendojë me ndërhy në vendimet e gjyqësorit. Është pak e çuditshme sepse, unë nuk e kam lexuar aktakuzën, por nëse thuhet që është akuzuar për terrorizëm, lirimi në arrest shtëpiak është konfuz, është me pikë pyetje dhe nuk jam i sigurt që mund të behët pa pasur edhe një lloj mbështetje politike. Nëse kjo mbështetje ka ardhur nga ana e Kurtit ai nuk ka nevojë të fshihet duhet të jetë i sinqertë me qytetarët dhe të dal të arsyetoj nëse ka qenë i involvuar në një formë apo tjetër në këtë vendim”.

Krasniqi duke komentuar zhvillimet e fundit në vend ka thënë se situata në veri është vetëm duke u përkeqësuar, kjo si shkak i vendimeve të gabuara të Qeverisë.

Ai tha se shqetësim për të është gjendja e qytetarëve shqiptarë të asaj pjese, pasi siç tha ai në komunikimet që ka pasur me banorët shqiptarë ata po ndihen të frikësuar.

“Situata në veriun e vendit është mjaftë shqetësuese, fatkeqësisht në këto pothuajse tri javë nuk ka pasur një përmirësim, por përkundrazi ka shkuar duke u përkeqësuar gjendja. Shqetësimi im par se gjithash ka të bëjë me qytetarët atje sepse niveli i sigurisë ka shkuar duke rënë dhe në gjitha komunikimet që ne i kemi me banorët shqiptarë veçanërisht, e shohim që ka një rritje të frikës dhe normalisht që na vjen keq nëse kjo situatë nuk zgjidhet shpejt”, tha ai.

Krasniqi tha se Qeveria dhe Presidenca kanë mungesë të fokusit në këtë çështje dhe se heqja e barrikadave duhet të jetë prioritet i parë i tyre.

Ai theksoi se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët, por që nuk mund të pritet në deri pafundësi, raporton EO.

“E kam vrenjtur që ka pasur një mungesë edhe të fokusit të domosdoshëm nga ana e qeverisë, sepse një situata e tillë për kryeministrin e vendit, por edhe për presidenten nuk mund të ketë as një lloj prioriteti tjetër, por prioritet duhet të jetë kthimi i nivelit më të madh të mundshëm të normalitetit në veriun e vendit dhe vendosja e barrikadave nëse kthehet në një realitet të ri siç është duke ndodhur, duke u bërë përditshmëri e jona unë e shohë si një situatë prej të cilës është vështirë që të kthehemi aty ku dëshirojmë”.

“Janë vendosur barrikadat nga ana e grupeve kriminale, kjo është e pa kontestueshme, këto grupe kriminale duket qartë që janë të kontrolluara nga nivelet më të larta të udhëheqjes në Serbi. Andaj edhe në fillim kërkesën e parë ju kemi drejtuar partnerëve ndërkombëtar. Unë e di që ka pasur angazhime edhe nga ndërmjetësit ndërkombëtar”, tha ai.

“Sot në veri nuk ka targa RKS, nuk ka institucione të Kosovës që funksionojnë, nuk ka integrim të serbëve lokal, nuk ka as zgjedhje të cilat njëherë u shpallën e më pas qeveria dhe presidenca u tërhoqën nga mbajtja e tyre. Por çka ka barrikada, pra situatë ka shkuar duke u përkeqësuar dhe është kombinim i gabimeve dhe nacionalitetit të qeverisë tonë. Unë besoj që koordinimi me faktorin ndërkombëtar është i domosdoshëm, por nuk mund të jetë e vetmja rrugë nëse nuk ka as një avancim. Ne kemi pasur barrikada edhe në vitin 2018 ka pasur edhe në vitin 2011 dhe atyre barrikadave Qeveria e Kosovës atëherë ju ka dhënë përgjigjen i ka hequr ato barrikada. Dhe sot edhe pse mund te jetë vendimi i fundit që duhet mu ndërmarr është vendim që nuk duhet që të përjashtohet”, tha ai.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share