LËVIZJA BESA: KRYEMINISTRI KA DEVIJUAR QËNDRIMET E PARTISË SONË
Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se, është i papranueshëm kushtëzimi i Lëvizjes Besa, e cila kërkon zgjedhje të parakohshme si kusht për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese. Në vend të kësaj, Kovaçevski bëri thirrje për konsensus të gjerë shoqëror dhe politik për rrugën evropiane të shtetit dhe se, ky nuk është vendimi i fundit deri në anëtarësimin e vendi në BE, por do të ketë vendime të tjera të vështira në atë rrugë.
“Do ta përsëris edhe njëherë se unë nuk funksionojë nën shantazhe dhe presione. Zgjedhjet do të jenë më 2024 dhe ajo është më çështje e përfunduar. Çështja për ndryshimet kushtetuese është serioze, ajo është çështje shtetërore sepse nënkupton rrumbullakësimin e procesit për hapjen e kapitujve të procesit të filluar të negociatave me BE-në. Ne kemi filluar negociatat me Bashkimin Evropian, në rrjedh është procesi i skriningut dhe tani varet nga ne. Për këtë, kjo çështje është çështje e parimeve, nëse dikush e mbështet rrugën evropiane ose jo. Kushtëzimet për një çështje të këtillë janë me të vërtetë të papranueshme” – Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i RMV-së.
Lëvizja Besa ka reaguar ndaj kësaj deklarate të kryeministrit, duke thënë se ka devijuar qëndrimet politike të kësaj partie. Në reagim më tej thuhet se, kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare është kërkesë e shumicës së qytetarëve, pasi që kjo qeveri nuk buron nga legjitimiteti i marrë nga zgjedhjet e fundit parlamentare.
“Ndërsa, kur flasim për ndryshimet kushtetuese, Lëvizja BESA edhe njëherë riafirmon qendrimin e saj se kërkon që të hiqet termi “20%” dhe të zëvendësohet me termin “gjuha shqipe”. I nderuar kryeministër, çdo kush që është kundër gjuhës së një populli e sidomos në rrethanat e Maqedonisë së Veriut detyrimisht është edhe kundër vlerave evropiane dhe Bashkimit Evropian!” – thonë nga Lëvizja BESA.
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami deklaroi të dielën se, nëse pushteti dëshiron bashkëpunim në pjesën e ndryshimeve kushtetuese, atëherë në këmbim të kësaj duhet të ketë kompromis për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Madje, ai paralajmëroi ndërmarrje të masave më radikale, nëse pushteti nuk e pranon kërkesën për zgjedhje. /KlanMacedonia/