Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së që t’i përmbahet asaj që u tha në konferencën për shtyp pas takimit të liderëve të mbajtur më 7 qershor dhe bashkërisht të marrin vendime që janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
Ai beson se ajo që u arrit në takimin e liderëve është një bazë e mirë për të ecur përpara, për të hedhur hapin e radhës dhe për të marrë vendimet e duhura në një kohë të zhvillimeve gjeopolitike në Evropë.
“Takimi i liderëve dha disa mesazhe të rëndësishme. E para, se VMRO-DPMNE nuk është kundër ndryshimit të Kushtetutës. E dyta, se nuk është kundër përfshirjes së kombeve të tjera në Preambulën e Kushtetutës, duke përfshirë pjesë të popullit bullgar. E treta, se kjo përbërje parlamentare ka legjitimitet për ta bërë këtë dhe së katërti se kjo Qeveri ka legjitimitet sepse VMRO-DPMNE ka kërkuar të jetë pjesë e Qeverisë dhe menjëherë iu ofrua që t’i jepet gjysma e posteve ministrore. Kryetari i VMRO-DPMNE-së për arsye të njohura kishte edhe një kusht tjetër, që BDI të mos jetë pjesë e Qeverisë që do të marrë detyrën pas hapjes së Kushtetutës. Dhe kjo dëshirë u plotësua në mënyrë që praktikisht të gjitha gjërat që ishin vendosur u pranuan. Besoj se kjo është një bazë e shkëlqyer që puna të vazhdojë në nivel operativ përmes grupeve punuese që do të mund të pajtohen për detajet”, tha Kovaçevski.