Kovaçevski pret mbështetjen e deputetëve për pakon e ligjeve për Korridoret 8 dhe 10D

OPOZITA: NË MARRËVESHJEN ME “BECHTEL DHE ENKA” FSHIHET DYSHIMI PËR KORRUPSION

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski pret mbështetjen e deputetëve për miratimin e ndryshimeve të pakos së ligjeve për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, njofton KlanM.

Kovaçevski gjatë ceremonisë së lëshimit në përdorim të magjistrales Kumanovë – Stracinë, tha se, marrëveshje me konzorciumin amerikano – turk “Bechtel dhe Enka” i është dorëzuar Prokurorisë Publike dhe Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, si dhe të punësuarve në Ndërmarrjen Publike për Rrugë Shtetërore, të cilët janë të kyçur në këtë projekt.

 Po ashtu, ka shtuar ai, është dërguar edhe letër në Kuvend për prezantimin e Marrëveshjes në komisionin adekuat, me kërkesë të deputetëve të opozitës me certifikatë të sigurisë.

“Korridori 8 e lidh Tetovën me kufirin e Shqipërisë, ndërsa Korridori 10d – Prilepin dhe Manastirin, ku qytetarëve u është premtuar autostradë që nuk është bërë asnjëherë. Tani në pesë vitet e ardhshme do të ndërtohet” – tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.

Ndërkohë, sic njofton KlanM, në seancë plenare në Kuvend ka vazhduar debati për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për përcaktim të interesit publik dhe nominim të partnerit strategjik për implementimin e projektit për ndërtim të korridorit infrastrukturor 8 dhe 10 d, me procedurë të shkurtuar.

“Pikërisht fshehtësia e kësaj marrëveshje dhe ajo që nuk është e qasshme as për opinionin as për gazetarët as për komunitetin profesionistë të Fakultetit të Ndërtimtarisë apo Arkitektonik, as për deputetët, siç u premtua, flet se në këtë marrëveshje fshihet dyshimi për korrupsion të lartë” – tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Kuvendi, sic njofton KlanM, ka përfunduar debatin për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për marrëdhënie pune, ligjit për shpronësim, për ndërtim dhe për planifikim urbanistik dhe pas përfundimit të debatit edhe të ligjit të pestë, pritet që pakoja e ligjeve që kanë të bëjnë me ndërtimin e korridoreve, të shkojë në votim. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share