VAZHDIMI I SEANCËS PËR NDRYSHIMET KUSHTETUESE KUR TË SIGUROHEN NUMRAT
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski tha se, seanca plenare e Kuvendit për ndryshimet kushtetuese do të vazhdojë atëherë kur të krijohen kushte adekuate sa i përket numrit të deputetëve që do të mbështesin këtë proces.
Nëse deri tani bllokimet për eurointegrimet e vendit kanë ardhë nga jashtë, tani për herë të parë vendi përballet me bllokadë të brendshme – thotë Kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke i bërë thirrje VMRO-DPMNE-së, të mos mbetet koalicion i izolimit dhe se ka kohë të mjaftueshme për të ndryshuar qëndrimin në favor të ndryshimeve kushtetuese.
“Tani është momenti kur merret një vendim i tillë, duke pasur parasysh se, vitin e ardhshëm edhe Bashkimi Evropian shkon në zgjedhje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkojnë në zgjedhje edhe Maqedonia e Veriut shkon në zgjedhje. Pas kësaj do të bëhet komision i ri, organe të reja të BE-së, që natyrisht do ta zvarrisin procesin pafundësisht” – tha Kovaçevski.
Seanca parlamentare për ndryshimet kushtetuese, filloi më 18 gusht, kurse opozita insiston se duhet të thirret vazhdimi i seancës, ku duhet të votohet për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, ku duhet shumica prej 2/3.
Kryeministri Kovaçevski tha se interpretimi i rregullores së Kuvendit duhet të bëhet nga kryeparlamentari Xhaferi.
“Sa i përket interpretimit të rregullores do t’ju ftojë të bisedoni me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferin, duke pasur parasysh se, Qeveria nuk udhëheq me seancat e Kuvendit, por atë e bën kryetari i Kuvendit, ndërsa sa kryetar i mirë i Kuvendit ka qenë Trajko Veljanovski, atë kishim mundësi ta shohim më 27 prill” – tha Kovaçevski.
Ish-Kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, përmes një letre publike, sic shkruan, ka rikujtuar se sot duhet të mbahet vazhdimi i seancës parlamentare për ndryshimet kushtetuese, pasi kanë kaluar 10 ditët e punës, pas votimit të rendit të ditës së seancës. Ai ka thënë se Kryeparlamentari Talat Xhaferi, nëse nuk e thërret seancën shkel Rregulloren e Kuvendit. /KlanMacedonia/