Kovaçevski – Micotakis: Greqia mbetet një partner i fuqishëm i Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në ditën e dytë të Samitit të NATO-s në Vilnius të Lituanisë zhvilloi takim dypalësh me Kryeministrin grek Kirijakos Micotakis.

Në takim, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, si dhe u theksua gatishmëria për përforcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të tyre në çdo fushë me interes të përbashkët, veçanërisht në plan ekonomik.

Dy kryeministrat u shprehën të kënaqur me trendin e rritjes së tregtisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Kovaçevski dhe Micotakis theksuan se bashkëpunimi në sektorin energjetik është i një rëndësie kyçe, për të cilin u dakorduan se ka potencial të madh nëse merren parasysh projektet e përbashkëta për ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm në Aleksandropoli, si dhe lidhja e ndërlidhjes së gazit mes dy shteteve.

Kryeministri Kovaçevski ia uroi fitoren kolegut grek Micotakis në zgjedhjet e fundit dhe shprehu besimin se bashkëpunimi mes dy qeverive do të vazhdojë me intensitet të shtuar. Në të njëjtën kohë, ai falënderoi për mbështetjen e fuqishme greke për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Në takim bashkëbiseduesit biseduan edhe për temat aktuale rajonale.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share