MEMORANDUM BASHKËPUNIMI RMV – SERBI
Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Ministrat për Transport dhe Lidhje të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, kanë nënshkruar Memorandumin e bashkëpunimit për rrjetin hekurudhor me performansa të larta, përcjell KlanM.
Memorandumi i bashkëpunimit ka të bëjë me linjën hekurudhore që duhet t`i lidh Athinën – Selanikun – Shkupin – Nishin – Beogradin – Zagrebin – Lubjanën – Salzburgun.
Konkretisht flitet për pjesën Shkup – Nish – Beograd që në Shkup do të lidhet me Aeroportin Ndërkombëtar.
“Bëhet fjalë për hekurudhën që duhet të ndërtohet në gjatësi prej rreth 50 kilometrave në territorin e RMV-së në fazën e parë, kurse parashikohet që Korridori 10 tërësisht të ndërtohet me hekurudhë të re që do të jetë nga Shkupi në Selanik, më pas nga Selaniku deri në Athinë. Shpejtësia komerciale e kësaj hekurudhe do të jetë së paku 160 kilometra në orë dhe po bëhen përpjekje për rritje të shpejtësisë”, tha Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje mori pjesë në Panairin “Vizioni i verës së Ballkanit të Hapur” në Beograd.
Në panairin e sivjetmë marrin pjesë mbi 600 ekspozues nga 28 vende të botës, në mesin e tyre edhe 70 prodhues të verës nga Maqedonia e Veriut./KlanMacedonia