Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në një intervistë për TV serb Pink, theksoi rëndësinë e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Kovaçevski theksoi se nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së për një rajon të begatë, stabil dhe të sigurt. Ai theksoi se nisma Open Balkans, procesi i Berlinit, bazohen në vlerat evropiane, sepse të gjithë qytetarët nga vendet e rajonit kanë të drejtë të jetojnë dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, përcjell Klan Macedonia.
“Iniciativa bazohet në katër liritë e lëvizjes në BE, mbi të cilat bazohet vetë BE-ja, që është lëvizja e lirë e njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve. Nëse shikojmë vetëm shkëmbimin tregtar ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, ai tashmë është në nivelin 1.1 miliardë euro. Absolutisht, për shkak të Open Balkans, këtë e thonë vetë kompanitë”, tha kryeministri Kovaçevski në intervistë.
Në të njëjtën kohë, kryeministri Kovaçevski theksoi se në dhjetë vitet e fundit dyert e BE-së kanë qenë më të hapura për Ballkanin Perëndimor në krahasim me atë që kanë qenë më parë.
“Agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës e vendosi BE-në para një vendimi në lidhje me ndikimin dhe përfshirjen e saj në proceset e Ballkanit Perëndimor. Prandaj e shihni se sa e fokusuar është BE-ja në zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura që janë pjesë e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha kryeministri Kovacevski.