Kostovski: U konfirmua përforcimi dhe rritja e shumicës parlamentare

Me votimin e 65 deputetëve në Kuvend sot u konfirmua përforcimi dhe rritja e shumicës parlamentare, porositi deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski, në konferencë për shtyp pas debatit disaditësh u shkarkuan ministrat e Alternativës, Bekim Sali, Admirim Aliti dhe Xhemail Çupi.

Kostovski tha se “për shkak të frenimeve dhe bllokadave të VMRO-DPMNE-së opozitare pa nevojë janë humbur 10 ditë në Kuvend” ku po debatohet për rikonstruimin e Qeverisë.

“Vetvetiu replikonin deputetët e opozitës, vetëm për të zvarritur, të shpenzohen para të qytetarëve. Pse? Vetëm për shkak se dështuan të gjitha deklaratat e rrejshme të Hristijan Mickoskit se do të ketë shumicë të re, se Qeveria vetëm sa nuk është rrëzuar”, tha Kostovski.

Sipas LSDM-së, “për shkak të sjelljeve të paarsyeshme të VMRO-DPMNE-së, çdo ditë shpenzohen 55.000 euro të qytetarëve, në mes të krizës”.

“Ne, deputetët e shumicës parlamentare, do ta durojmë këtë sjellje destruktive të VMRO-DPMNE-së. Jemi të gatshëm me ditë të tëra në Kuvend t’i mbrojmë interesat e qytetarëve dhe t’i ulim në minimum dëmin e shkaktuar nga VMRO-DPMNE”, tha Kostovski.

Ai porositi se me përfundimin e rikonstruimit do të sigurohet stabilitet politik, rritje të efikasitetit të Kuvendit dhe miratim më të shpejtë të ligjeve.

“Kjo do të kontribuojë në vazhdimin e shpejtë të zbatimit të reformave në ekonomi, në gjyqësor dhe në lidhje me integrimin e vendit në BE”, tha Kostovski.

Vazhdimi i seancës për rikonstruimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e ministrave të rinj është paralajmëruar për në orën 20 sonte pas përfundimit të seancës për pyetje të deputetëve.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share