Kosovë: Vazhdon aksioni për sekuestrimin e objekteve në Brezovicë

Prokuroria e Ferizajt njoftoi se edhe më 12 tetor po vazhdon sekuestrimi i objekteve, që dyshohet se janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme në Brezovicë.

Aksioni për sekuestrimin e rreth 100 objekteve në Brezovicë nisi më 11 tetor. Prokurori i rastit të Brezovicës, Rasim Maloku, i tha Radios Evropa e Lirë të martën se objektet e sekuestruara në Brezovicë ishin në pronësi të politikanëve, biznesmenëve dhe qytetarëve të tjerë.

Objektet që po sekuestrohen përkohësisht gjenden në zonën e dytë të Brezovicës, në Parkun Kombëtar “Sharri”. Në këtë zonë nuk lejohet ndërtimi.

“Raportet e pranuara lidhur me këtë rast nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, vërtetojnë se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth 100 objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar ‘Sharri’ si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar ‘Sharri’ të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”, u tha në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt.

Prokurori Maloku bëri të ditur se në mesin e objekteve të sekuestruara janë 80 objekte të ndërtuara plotësisht e të tjerat në ndërtim e sipër. Përveç vilave, është sekuestruar edhe një hotel.

Rasti gjyqësor Brezovica është iniciuar në dhjetor të vitit 2021. Deri më tani janë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Nikolliq, që është zyrtar i lartë i partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Prokuroria dyshon se Nikolliq ka lëshuar paligjshëm leje ndërtimi në Brezovicë dhe të përfshirët në këtë rast, përveç keqpërdorimit të detyrës zyrtare, dyshohen edhe për ryshfet.

Autoritetet gjyqësore kanë njoftuar se hetimet për rastin Brezovica do të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm, pasi pritet të dërgohen edhe lëndë të tjera në gjykatë për disa të dyshuar.

Brezovica cilësohet një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e saj të skijimit. Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share