Kosovë: Shef i BE-së, masat ndaj Kosovës të përkohshme

MASAT MUND TË LARGOHEN PAS DEPËRSHKALLËZIMIT TË SITUATËS NË VERI

Të përkohshme i konsideron masat e BE-së ndaj Kosovës shefi për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi.

Sipas tij masat mund të largohen sapo të arrihet depërshkallëzimi i situatës në veri në përputhje me rekomandimet e BE-së.

“Do të doja të theksoja se këto janë masa të përkohshme dhe hap i kthyeshëm. Shkalla jonë e plotë e asistencës financiare dhe angazhimit politik do të rifillojë sapo qeveria ta realizojë përshkallëzimin e situatës në përputhje me rekomandimet e BE-së. Shpresojmë që shumë shpejt ta lëmë pas dhe ta kthejmë fokusin tonë në reformën që është vendimtare për ta afruar Kosovën me Bashkimin Evropian” – tha Alessandro Bianciardi.

Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj ,konsideron se Kosova po shihet si një pikë e zezë në hartën e botës për shkak të masave ndëshkuese që i janë vendosur nga BE-ja.

“Pa pikë dyshimi që do të ishte alarm për Qeverinë Kurti, për gjithë ministrat në Qeverinë Kurti, për Lëvizjen Vetëvendosje sepse në vitin 2023, në vitin e tretë të qeverisjes Kurti kur do të duhej sot të bënim bilancin se ku është Kosova në procesin e integrimit Evropian, sot po flitet do të thotë se si t’i heqin masat ndëshkuese nga BE të vendosura ndaj Kosovës” – tha Ehat Miftaraj.

Sipas Miftarjt, vetë kryeministri Kurti ka deklaruar se nga këto masa dëmi që i është shkaktuar Kosovës është rreth 500 milionë euro.

Kosova tashmë ka përfunduar udhëzimin administrativ si hap i parë drejt shpalljes së zgjedhjeve në veri të vendit ndërsa ka reduktuar edhe policinë e kosovës në dhe afër objekteve komunale në komunat veriore konform marrëveshjes me BE-në për shtensionimin e situatës në veri.

Megjithatë udhëzimi administrativ po konsiderohet jokushtetues pasi nuk ka bazë ligjore nuk vlen vetëm për komunat veriore por për gjithë Kosovën. Përmes një udhëzimi të tillë, për gjashtë muaj mund të përmbysen të gjitha rezultatet e zgjedhjeve lokale, gjë që është e ndaluar dhe tërësisht jokushtetuese vlerësojnë ekspertët.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share