Kosovë / Nga 1 janari, pa viza në Zvicër

Nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit e Kosovës do të jenë në gjendje të hyjnë në Zonën Schengen pa viza për qëndrime të shkurtra.

Kjo do të vlejë edhe për Zvicrën, e cila nuk është pjesë e BE-së, por është pjesë e Zonës Schengen, raporton Klankosova.tv.

Kështu ka thënë sot Këshilli Federal i Zvicrës.

Në njoftimin për media, Këshilli tha se sot miratoi ndryshimin e nevojshëm të Urdhëresës për hyrjen dhe lëshimin e vizave (VEV).

Më tej, në njoftim thuhet se Kosova i ka përmbushur kushtet për heqje të vizave për qëndrime të shkurtra për sa i përket sigurisë, kontrolleve kufitare dhe menaxhimit të migrimit.

Prandaj, më 19 prill 2023, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së miratuan një Rregullore Schengen që ua mundëson kosovarëve të hyjnë pa viza në Zonën Schengen për qëndrime më së shumti 90-ditore.

Parakusht është posedimi i pasaportës biometrike.

Megjithatë, Këshilli Federal i Zvicrës sqaron se për punësim në Zvicër, sërish kërkohet viza.

“Shtetasit kosovarë lejohen të punësohen vetëm me kusht që të jenë të kualifikuar profesionalisht dhe të mos gjenden punëtorë ekuivalentë në tregun zviceran të punës ose në shtetet e BE/EFTA. Gjithashtu, duhet të respektohen kushtet e zakonshme të pagës dhe punës”, thotë Këshilli, raporton Klankosova.tv.

Ky vendim hyn në fuqi më 1 janar, 2024.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share