KE KONFIRMON SE KOSOVA KA PËRMBUSHUR KRITERET
Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill një dokument të detajuar ku konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Sinjale positive vijnë nga Brukseli për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Tv Klan ka parë konkluzionet e dokumentit të Komisionit Evropian që u ka dërguar vendeve anëtare të BE-së në Këshillin Evropian e që konfirmohet se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.
Nëpërmjet këtij dokumenti Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.
Përmenden fushat në të cilat Kosova ka vazhduar të bëjë progres edhe pas vitit 2018 kur Komisioni kishte dhënë mendimin pozitiv dhe kishte rekomanduar përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve qytetarët e të cilave nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në territorin e BE-së.
Në kapitullin e katërt ku janë të përmbledhura konkluzionet thuhet se Kosova ka krijuar një kornizë të fuqishme ligjore për menaxhimine kufijve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Në raport konfirmohet se Ministria e Brendshme e Kosovës ka siguruar që të gjitha dokumentet e udhëtimit, janë biometrike dhe janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.
Ky dokument do të jetë edhe bazë për diskutimin në grupet punues për vizat në Këshill më 13 tetor në Bruksel.
Dokumenti nuk është raport formal pasi për një të tillë komisioni vlerëson që nuk ka nevoj por qëllimi është që të informohen vendet anëtare me situatën.