Kosovë / 1 500 personave u njihet statusi si viktimë e dhunës seksuale, Rushiti: Afati për aplikim mos të kufizohet

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të mos kufizohet afati për verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

Kjo pasi sipas tyre, procesi deri te marrja e vendimit për të i’u njohur statusi, për të mbijetuarit e dhunës është mjaft i vështirë dhe kërkon kohë.

Feride Rushiti, drejtoresh në QKRMT, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se duke marr parasysh që viktimat e dhunës seksuale ende stigmatizohen e paragjykohen, është e rëndësishëm si me konventa ndërkombëtare edhe përvojat e krijuar në Kosovë ky afat të mos ketë limit kohorë.

Rushiti shtoi se deri më tani në Komision kanë aplikuar rreth 2 mijë veta, ku 1 500 prej tyre, përfshirë këtu burra e gra, kanë fituar statusin. Por sipas saj, pensioni prej 230 euro që marrin është vetëm një simbolikë.

“Numri i atyre që kanë aplikuar në Komision mendoj është rreth 2 000 veta, ndërsa rreth 1 500 pre tyre përfshi këtu edhe burra e kanë fituar statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale, duke marr edhe një pension personal në vlerë prej 230 euro, vlerë e cila kjo nuk është asgjë përveç një simbolikë për me ju njohur dhimbjen dhe vuajtjen që kanë kaluar gjatë periudhës së luftës”, tha Rushiti.

“Krimet e luftës nuk parashuna, as e drejta në krimet e luftës nuk ish dashur që të afatizohet aq më shumë kur kemi të bëjmë më një krim ma monstruoz shoqëror. Krim i cili ende në shoqëri tonë stigmatizohen, paragjykohet nuk mund të flitet në familje, prandaj është shumë e rëndësishëm edhe mbi konventa ndërkombëtare edhe përvojat e krijuar në Kosovë që ky afat të mos ketë limit kohorë. Për faktin se të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës kanë vështirësitë e veta, janë procese të dhimbshme deri sa ato ta marrin vendim që të shkojnë dhe të ju njihet ky status. Prandaj ne si organizata jo qeveritare bashkarishtë me grupin parlamentar për të drejtat e njeriut kemi kërkuar dhe kemi adresuar nevojat tona që afati kohorë të mos limitohet, e drejta në reparacion administrativ, ashtu siç e kemi quajtur, të mos afatizohet në periudhën dy vjeçare”, tha ajo.

Ajo tha se për këto viktima është e rëndësishëm që të vetëdijesohen shoqëria dhe familja që ato të kenë më të lehët që të marrin vendimin që të fillojnë procesin e njohjes së statusit.

“E para është e rëndësishme më dërgua këtë mesazhin inkurajues në shoqëri edhe në familjet e tyre, në qoftë se shoqëri e institucionet edhe legjislacioni zgjatet dhe është gjeneroz me e zgjatë këtë afat e dërgon automatikisht mesazhin pozitiv tekë familjarët dhe të të mbijetuarit. E dyta duhet që të punohet në nivel të vetëdijesimit të komuniteti dhe familjes për me rrit numrin e atyre që kanë besim me shuku tekë institucionet. E treta ju duhet, është proces i vështirë, ju duhet shumë herë këto gra me pritë, janë rrethanat familjare që ja kushtëzojnë, bashkëshorte, fëmijët, martesat rrethanat e atilla kështu që janë një mori faktorësh që ja pamundësojnë me shku për një afat të caktuar kohorë. Për këtë arsye ne kemi avokuar që ku afat të mos kufizohet në mënyrë që të ju bëjë sa më të lirë dhe më të mundshme një numri më të madh të grave dhe burrave që kanë përjetuar këtë krim”, tha ajo.

Drejtoresha e QKRMT-së theksoi se gratë dhe burrat që kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës ballafaqohen me sfida të shumta duke filluar nga aspekti i shëndetit mendor dhe fizikë, aspekti i integrimit social e deri te aspekti i integrimit ekonomik.

“Sfidat e tyre janë nga aspekti i shëndetit mendor dhe fizikë , nga aspekti i integrimit social, nga aspekti i integrimit ekonomik. Mos të harrojmë se ky krim për shumicën e grave dhe burrave që e kanë përjetuar ju ka shuar ëndrrat për jetën. Shumica nga ata e ato nuk kanë arrit me e marr vetën edhe më pas një jetë normale. Prandaj sfidat vazhdojnë në familje, sfidat vazhdojnë në shoqëri, në integrim, për këtë arsye mendoj që institucionet tona, shoqëria jonë i’u ka për borxh me i’u ofruar trajtim të dinjitetshëm dhe të mos ja kufizoj këtë të drejt”, tha ajo.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share