“Kosova, vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor” – Kongresmeni amerikan: Serbia, satelit i Rusisë

“Pse Departamenti Amerikan i Shtetit këmbëngul t’i bëjë lëshime një shteti satelit të Rusisë, në kurriz të një aleati të qëndrueshëm demokratik si Kosova” – pyet kongresmeni nga Nju Jorku, Ritchie Torres, përmes një video-mesazhi të publikuar në Zërin e Amerikës.

Kongresmeni Torres, ka shprehur një sërë kritikash ndaj administratës së drejtuar nga Presidenti Biden për gjykim të gabuar ndaj Kosovës në gjithë këto ngjarje të fundit të ndodhura në veri mes dy vendeve, përcjell KlanM.

Sipas Torres-it, lufta për pushtet midis demokracisë dhe autokracisë është sfida kryesore e këtij shekulli. Kosova, siç thotë ai, është shndërruar në shtetin më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe paraqitet si aleat i palëkundur i SHBA-së. E kundërta sipas tij, po ndodh me Serbinë, e cila sipas Ritchie Torres, është satelit i Rusisë.

“Pse DASH po gjykon në mënyrë të gabuar Kosovën demokratike, duke i bërë lëshime Serbisë, një vendi gjithnjë e më autokratik? Në harkun e 16 viteve Kosova është kthyer në vendin më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Kur Shtetet e Bashkuara kishin nevojë  për vende për të pranuar refugjatë afganë pas tërheqjes nga Afganistani, Kosova ishte një nga vendet e para që pranoi. Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së, ku Serbia ka qenë prej kohësh një satelit në orbitën e Rusisë, si dhe Kinës. Serbia ka refuzuar të vendosë sanksione për agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe krimet e luftës së Vladimir Putinit kundër civilëve ukrainas. Serbia ka importuar sisteme armësh nga Rusia në kundërshtim me ligjin amerikan. Madje ka edhe një sondazh që zbulon se Vladimir Putini është udhëheqësi i huaj më popullor në Serbi, pavarësisht nga krimet e luftës”, thotë në mesazhin e tij, ligjvënësi amerikan Ritchie Torres, përcjell KlanM.

Ka ardhur koha, sipas Torres-it, që DASH të vendosë mbështetjen atje ku qëndrojnë vlerat amerikane, pas demokracive të vërteta si Kosova, e cila sipas tij, ka fituar të drejtën të njohur botërisht dhe për t’u integruar si shtet i pavarur.

“SHBA nuk duhet të mashtrohet më nga regjimi serb që luan me të dyja palët. Një diplomat e tha shkurt: Nuk mund të ulesh në dy karrige në të njejtën kohë veçanërisht kur ato dy ‘karrige’ janë SHBA dhe Rusia. Demokracia dhe autokracia janë shumë larg njëra-tjetrës. Amerika duhet të qëndrojë pamëdyshje me vendet ku ka eksportuar demokracinë”, përfundon mesazhi i kongresmenit amerikan, Ritchie Torres./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share