Kosova do të nisë ditën e sotme regjistrimin e popullsisë, një proces i vonuar që pritet të zgjasë deri më datë 17 maj.
Agjencia e Statistikave të Kosovës bën me dije se këtë herë regjistrimit do t’i nënshtrohet edhe diaspora, teksa personat që refuzojnë të japin të dhënat e tyre për regjistruesit rrezikojnë një gjobë nga 30 deri në 2000 euro.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës informacioni i mbledhur do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave.
“Nga data 5 prill deri më 10 prill 2024 punonjësit (regjistruesit) e regjistrimit do t’i vizitojnë zonat tuaja të banimit dhe banesat/shtëpitë më shumë për t’i shpërndarë materialet si: fletëpalosjen, letrën informuese dhe për t’u njoftuar me Zonën Regjistruese. Gjatë kësaj periudhe mund të zhvillohet ndonjë intervistë me ndonjë ekonomi familjare. Nga data 10 prill 2024 do të fillojë regjistrimi i përgjithshëm”.
“Intervista duhet të zhvillohet në objektin e banimit të ose në afërsi të banesës/shtëpisë së respodentit (qytetarit). Intervista mund të zhvillohet në: banesë/shtëpi, hyrje, korridor, në një lokal afër banesës/shtëpisë, nëse ka një kopsht, tarracë, ballkon ose vende të ngjashme”.
“Varësisht prej numrit të anëtarëve të ekonomisë familjare, moshës dhe gjinisë, pritjet janë që intervista në një ekonomi familjare me 4 anëtarë të zgjasë rreth 30 minuta”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Statistikave.