Kushtet e vështira ekonomike po i detyrojnë shtetasit e Kosovës të përfitojnë nga liberalizimi i vizave për tu larguar nga vendi. Në raportin e BE-së thuhet se numri i shtetasve kosovarë me lejeqëndrime për herë të parë në vendet anëtare të BE-së dhe zonës Schengen, ka vazhduar të rritet. Pjesa më e madhe e të larguarve po aplikojnë për lejeqëndrime në vendet anëtare të BE-së.
Brenda 4 vjetëve të fundit nga Kosova janë larguar më shumë se 156 mijë banorë, që në përqindje i bie 8.85% e popullsisë së vendit. Është vlerësuar se rreth 949 mijë banorë të Kosovës jetojnë jashtë vendit. Numri i qytetarëve që u pajisën me lejeqëndrime u rrit më së shumti në Gjermani, Francë, Slloveni dhe Kroaci.
Shumica e lejeqëndrimeve të lëshuara për shtetasit kosovarë kishin të bënin me bashkimin familjar.
Përsa i përket urdhërlargimeve numri i më i madh i shtetasve kosovarë nga shtetet anëtare të BE-së dhe zonës Shengen u regjistruan në: Francë, Slloveni, Kroaci, Zvicër dhe Itali.
Në raport tregohet se mbi 5 mijë shtetas nga Kosova u zunë duke qëndruar ilegalisht në territorin e shteteve anëtare të BE-së dhe zonës Shengen.
Shtetet Anëtare të BE-së dhe zonës Shengen, që raportuan numër më të madh të shtetasve kosovarë me qëndrim të parregullt ishin: Gjermania, e pasuar nga Zvicra, Kroacia, Franca, Austria, Italia, Hungaria dhe Sllovenia.
Klan News