Lojërat Olimpike janë aktiviteti më i madh dhe më gjithëpërfshirës i sporteve në botë, ku marrin pjesë thuajse të gjitha disiplinat, ndërsa Kosova në tri të fundit, ia ka dal të marr pesë medalje.
Sot, me paraqitjet e Gresa Bakraqit dhe Hana Beqiti, ekipi olimpik i Kosovës i ka mbyllur garat në Paris 2024, me një sukses të madh dhe kjo fal xhudos, sportit tonë që i ka sjell të gjitha medaljet olimpike, shkruan Telegrafi.
Bilanci i këtyre Lojërave Olimpike ishte pozitiv për Kosovën, me një medalje të argjendtë dhe një të bronztë.
Xudistja jonë, bëhet sportistja e parë që fiton dy medalje në Lojërat Olimpike, dhe atë në dy kategori të ndryshme. Ylli i xhudos, arriti deri në finale pa probleme, me shumë vetëbesim, duke i eliminuar kundërshtaret një nga një deri në finale. ‘Disi’ i solli Kosovës medaljen e argjendtë, pasi humbi në finale ndaj Diyota Keldiyorova.
Xhudistja jonë e madhe në Paris 2024 fitoi ndaj Odette Giuffrida (gjysmëfinale), Gafen Primo (çerekfinale) dhe Maryam March Maharan (faza e parë).
Para tri vitesh, gjegjësisht më 24 korrik 2021, ajo i solli të artën vetes dhe gjithë vendit tonë, ku mundi në finale japonezen, Funa Tonaki, duke sjell gëzim të jashtëzakonshëm në vendin tonë.
Paraqitje mbresëlënëse kishte edhe Laura Fazliu, që ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm, pasi ka arritur që ta fitojë medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’.
Xhudistja kosovare e nisi garën nga rrethi i dytë pasi rrethin e parë nuk ka luftuar fare shkaku që është lartë në ranglistë.
Fazliu u përball me kinezen Jing Tang të cilën e mposhti pasi ajo mori tre shidove. Në çerekfinale Laura kishte pësuar humbje ndaj xhudistes franceze Clarisse Agbegnenou, e cila arriti ta sigurojë fitoren me Ippon.
Në repesazh, Fazliu ia doli të triumfonte përballë kanadezes Catherine Beauchemin-Pinard të cilën e mposhti pas tri gabimeve. Xhudistja jonë në duelin final për medaljen e bronztë u përball me kroaten Katarina Kristo të cilin arriti ta mposhtë në ‘Golden Score’ pas tri gabimeve.
Paraqitje shumë të mirë kishte edhe xhudisti Akil Gjakova, i cili iu afrua shumë medaljes kësaj radhe, pasi arriti me shumë stil deri në gjysmëfinale.
Fillimisht, xhudisti nga Peja që garon në kategorinë deri në 73 kilogramë mposhti në raundin e parë kundërshtarin nga Brazili, Daniel Cargnin – me anë të Ippon-it. Në raundin e dytë, Akili ia doli të mposhte austriakun Samuel Gassner edhe kësaj here me Ippon, për të vazhduar në mesin e tetë xhudistëve më të mirë. Në rrethin e tretë, Gjakova e kishte përballë italianin Manuel Lombardo, ku koha e rregullt u mbyll pa fitues derisa dy xhudistët shkuan në ‘Golden Score’. Italiani mori tri gabime dhe Akil Gjakova kaloi tutje për në gjysmëfinale.
Në gjysmëfinale, xhudisti ynë u ndesh me xhudistin nga Azerbajxhani, Hidayat Heydarov – por që pësoi disfatë me “Golden Score”. Në repesazh, Akili nuk ia doli të triumfonte përballë japonezit Soichi Hashimoto, pasi u mposht me Waza-ari.
Boksierja Donjeta Sadiku, e nisi mirë pasi kaloi pengesën e parë në ‘Paris 2024’, duke e mposhtur boksierjen nga Tajlanda, Thananya Somunek në kategorinë deri në 60 kilogramë.
Por në meçin e dytë, Donjeta Sadiku u mposht nga kolumbiania Pana Valdes me pikë prej 3-2, duke përfunduar rrugëtimin në Lojërat Olimpike.
Loriana Kuka e nisi pozitivisht në Paris 2024, duke fituan ndeshjen e parë dhe duke kaluar në raundin tjetër. Ajo në këtë raund mposhti me ippon sllovenen Metka Lobnik në kategorinë deri në 78 kilogramë.
Por në raundin e 1/8-tës, Kuka u ndeshe me ukrainasen Yelyzaveta Lytvynenko, ku pësoi humbje.
Medalistja e artë nga Tokio 2020, Nora Gjakova, vinte pas një dëmtimi dhe kjo bëri që ajo të ndalet në ndeshjen e parë. Ajo u mposht nga xhudistja mongoleze Enkhriilen Lkhagvatogoo.
Notari Adell Sabovic nuk ka arritur të kualifikohet në raundin e dytë edhe pse përfundoi i dyti në baterinë e tij. Sabovic garoi në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, disiplina e 100 metrave stil i lirë, ku e mbylli garën me kohë 51.77 sekonda, duke dalë i dyti në baterinë e tij.
Në përgjithësi, ai u rendit i 58-ti nga 79 garues, duke lënë prapa 21 notarë.
Notarja Hana Beiqi ka përfaqësuar Kosovën për herë të parë në disiplinën 50 metra stil i lirë, ku është renditur në vendin e 43-të.
Garuesja jonë në një konkurrencën të fortë garën e mbyllur për kohën 27.34. Në renditjen e përgjithshme doli e 43-ta, duke lënë prapa vetes 36 garuese. Në total ishin 79.
Garuesja e fundit që sot doli në shteg, ishte atletja Gresa Bakraqi, e cila ka zhvilluar sot raundin e dytë të quajtur repasazh në disiplinën e 800 metrave në atletikë në LO Paris 2024, pasi dje doli e fundit në baterinë e saj.
Atletja jonë edhe pse e mbylli garën, duke dalë e 35-ta në total, ajo u diskualifikua për dalje nga korsia. Gresa ishte garuesja e fundit e ekipit tonë që garoi në LO Paris 2024. /Telegrafi/