Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi për ish-kryeministrin italian Massimo D’Alema është e vetmja mënyrë që situata e brishtë në Ballkanin Perëndimor të tejkalohet dhe krizat serioze të mos dominojnë rajonit.
“Ajo çka duhet është një marrëveshje përfshirë Serbinë pasi s’ka interes as te BE, as në NATO që të shtyhet Serbia në duart e shteteve të tjera. Besoj që frymëzimi i Rugovës është mos bien në kurthin e nacionalizimit, të mbetemi të hapur për dialog”, tha ai.
Kryeministri Rama që së bashku me D’Alemën u bënë pjesë e festimeve të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, duke folur në konferencën “Rugova dhe Perëndimi” mendon se lidershipi në Kosovë duhet të heqë dorë nga përdorimi elektoral i çështjeve të politikës së jashtme.
“Ne jemi në një proces ku thellohet gjithnjë e më shumë dhe në një formë gjithmonë e më shqetësuese, qasja ndaj politikës së jashtme, si politikë e brendshme dhe shfrytëzimi i platformave të komunikimit jashtë si tribuna për të marrë vota këtu. Kjo, patjetër që mund të ketë sukses elektoral, po kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve të vet ndërkombëtarë”, tha Rama.
Njësoj si Rama e mendon dhe ambasadori amerikan në Prishtinë.
“Nuk duhet të përqendrohemi tek krizat e ditës. Është përgjegjësi edhe e qeverisë së Kosovës situata aktuale. Të gjithë duhet të bëjmë më mirë. Sepse e kemi një vizion që mund të ndjekim, vizionin e presidentit Rugova”, tha Hovenier.
Edhe ideja konkrete e Ramës për drejtimin ku duhet të lëvizë Kosova në raport me Serbinë mbështetet tek vizioni i Ibrahim Rugovës.
“Paqes së plotë i duhet shikimi i të shkuarës me sytë e të ardhmes dhe jo shikimi i të ardhmes me sytë e të shkuarës”, tha Rama.
E duke folur për Rugovën, Rama tha me siguri se lufta e UÇK nuk do të kishte asnjë peshë pa miqtë ndërkombëtarë të ish-presidentit që mundësuan ndërhyrjen e NATO-s në 1999.
“Nuk do të ishte arritur kurrë paqja e fituar me luftë, se pa miqtë e mëdhenj që Ibrahim Rugova ia bëri Kosovës, pushkët e UÇK-së nuk do të jehonin dot mbi Beograd përmes bombave të NATO-s. Ndërsa kohët që paqja të kërkonte luftën, që lufta të mundësonte paqen, mund të mos kishin ardhur kurrë”, tha Rama.
Për vizionin e Rugovës për ndërtimin e shtetit të pavarur të Kosovës foli dhe gazetari Blendi Fevziu, i ftuar si një nga panelistët në konferencën e LDK “Rugova dhe Perëndimi”.
“Krijoi ëndrrën e një Kosove të pavarur, e një shteti të Kosovës e cila nuk ishte ëndrra që Shqipëria kishte pasur 90 vjet, por ishte e vetmja ëndërr që mund të bëhej realitet në kushtet e dezintegrimit të Jugosllavisë në vitet 1990”, tha Fevziu.
Rama u prit dhe nga presidentja Osmani në zyrën e saj, por mungoi në këtë ditë feste për Kosovën një takim me kryeministrin Kurti. Të dy kur u pyeten nga gazetarët zgjodhën të mos i përgjigjen pyetjeve për mungesën e këtij takimi.