Kosova dyshon se Serbia po riinstalon policinë në veri

Të dhënat e një institucioni të sigurisë në Kosovë tregojnë se Serbia është duke i rihapur zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të saj në veri të Kosovës. Sipas të dhënave të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, në katër komuna të veriut të Kosovës, me shumicë serbe, që nga 11 maji i këtij viti janë vendosur zyrat e MPB-së së Serbisë, të cilat kanë qenë funksionale deri në vitin 2013.

Sipas të njëjtave të dhëna, selia kryesore e MPB-së do të jetë në Zveçan, afër shkollës fillore “Vuk Karaxhiç”. Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta konfirmojë këtë informacion në terren e as nga institucionet serbe.

Serbia kishte strukturat e saj të sigurisë në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç deri në vitin 2013. Pas marrëveshjes së arritur në dialogun e Brukselit, ato u integruan në institucionet e Kosovës, kryesisht në Policinë e Kosovës.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Mirëpo, pothuajse të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga komuniteti serb dhanë dorëheqje në fund të vitit të kaluar, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që qarkullojnë në veri me tabela që i lëshon Serbia. Serbia e mbështeti këtë veprim dhe në këmbim u dha të gjithëve kontrata me paga të njëjta siç i kishin marrë nga institucionet e Kosovës. Në ato kontrata, ndër të tjera, shkruhet se duhet të punojnë për të mirën e komunitetit serb.

“Është bërë mjaft”, ishin fjalët e shefit të atëhershëm të operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin verior, Aleksandar Filipoviç, i cili hoqi i pari uniformën. Për një akt të tillë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka dekoruar Filipoviçin me Medaljen e Artë për Guxim – Millosh Obiliç.

Vizita sekrete e Filipoviçit në policinë serbe

Sipas të dhënave të një institucioni të sigurisë të Kosovës në të cilat REL-i pati qasje, Filipoviç ka qenë në një takim të mërkurën, më 10 maj, në ambientet e Agjencisë së Informacionit (BIA) në Beograd. Pas kësaj, me urdhër të Filipoviçit, një ish-zyrtar tjetër në Policinë e Kosovës, Goran Zhivkoviç, i njoftoi të gjithë ish-komandantët e stacioneve policore në komunat në veri se do të hapen dy zyra të MPB-së së Serbisë në Mitrovicën e Veriut.

Zhivkoviç është i njohur për publikun si komandant i stacionit policor në veri të Mitrovicës, ndërsa në maj të vitit 2022 ai e informoi opinionin se rreth 60 persona ishin në listën e të dyshuarve “për përmbysje të rendit kushtetues të Kosovës”. Ndryshe, njëra zyrë në Mitrovicën e Veriut do të duhej të funksiononte në objektet e përdorura më parë nga MPB-ja e Serbisë, ndërsa tjetra në objektin e Autoritetit të Përkohshëm Komunal, i cili punon nën sistemin serb.

Ku tjetër pritet të jenë zyrat e MPB-së serbe?

Të dhënat e siguruara nga REL-i tregojnë se të njëjtat zyre do të hapen edhe në Leposaviç dhe Zubin Potok, po ashtu edhe në objektet e përdorura më parë nga MPB-ja e Serbisë. Gjithashtu, prezenca e MPB-së së Serbisë është planifikuar edhe në Rudarë afër Zveçanit.

Fshati Rudarë gjendet në rrugën kryesore Mitrovicë – Leposaviç dhe njihet për barrikadat që janë vendosur aty që nga viti 2011 me qëllim që të pengojnë autoritetet e Kosovës të vendosin pushtetin në veri. REL-i u përpoq të kontaktonte me Filipoviqin dhe Zhivkoviçin për të verifikuar këto pretendime, por pa sukses. Gjithashtu, REL-i iu drejtua BIA-s dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë me kërkesën që të konfirmojnë ose mohojnë këto informacione, por këto institucione nuk janë përgjigjur deri në publikimin e këtij teksti. As Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe as Qeveria e Kosovës nuk i kanë komentuar këto pretendime.

Filipoviçi i kërkoi Vuçiçit siguri në veri

Ish-zyrtari policor, Filipoviç, i kërkoi presidentit Aleksandar Vuçiç “ndihmë shtesë” nga Serbia në një takim më 13 prill, në Rashkë. Vuçiç e inkurajoi atë të thotë “hapur atë që kërkon”. Pastaj Filipoviç tha se serbët në Kosovë kanë nevojë për siguri.

“Ne e dimë që ju i keni dërguar kërkesë KFOR-it për kthimin e forcave tona të sigurisë në Kosovë dhe Metohi dhe e dimë se ata e kanë refuzuar atë kërkesë, sepse ka shumë që dëshirojnë që në Kosovë dhe Metohi të mos ketë serbë. Prandaj, populli ynë, sidomos sot, pret fjalën tuaj. President, na thuaj, na trego rrugën ku do të shkojmë”, tha Filipoviç.

“Mos nxitoni”, iu përgjigj Vuçiç dhe shtoi se “ka gjithmonë kohë për këtë”.

Dhjetorin e kaluar, KFOR-i (misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë) hodhi poshtë kërkesën e Serbisë për të kthyer 1000 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë së saj në Kosovë. Beogradi zyrtar e bëri këtë kërkesë pas tensioneve dhe barrikadave në veri të Kosovës.

Një kërkesë e tillë u kundërshtua kategorikisht nga SHBA-ja, siç i tha Radios Evropa e Lirë në një intervistë dhjetorin e kaluar i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai tha, gjithashtu, se Kosova “ka garanci shumë të forta sigurie nga SHBA-ja”.

Pas kërkesës së Filipoviçit, në të njëjtin takim në Rashkë, të tjerë i kërkuan Vuçiçit t’i “mbronte”, të cilëve ai iu përgjigj: “E di që i vetmi lajm që do t’ju gëzonte është hyrja e ushtrisë serbe në Kosovë dhe Metohi dhe unë e di që në thelb gjithçka tjetër është me shumë më pak interes”. “Vetëm atëherë do të ndiheshit të sigurt”, tha Vuçiç, por megjithatë ai u “kërkoi” të gjithëve durim dhe paqe.

Kush është Aleksandar Filipoviç?

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e sigurisë së Kosovës e kanë lidhur Aleksandar Filipoviçin me shërbimet serbe të sigurisë. Ai është integruar në Policinë e Kosovës nga MPB-ja e Serbisë në bazë të Marrëveshjes së Brukselit.

Në dhjetor të vitit të kaluar, REL-i mori informacione se Filipoviç u bë komandant i stacionit policor në Leposaviç në vitin 2016 me kërkesë të Milan Radoiçiçit. Radoiçiç është nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila ka mbështetjen e Beogradit. Ndaj tij është lëshuar një fletarrest në Kosovë dhe SHBA-ja e ka futur në listën e zezë për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Gjithashtu, REL-i pati qasje në të dhënat që tregojnë se Filipoviçi kishte lidhje të ngushta me Milan Mihajloviqin, i cili u arrestua në tetor të vitit 2022 me dyshimin se ishte i përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç.

Ai mbajti kontakte të ngushta me përfaqësuesit rusë në Kosovë, si Aleksandar Rozhdestvenski nga Zyra Ndërlidhëse Ruse në Kosovë. Sipas të dhënave të institucionit të sigurisë së Kosovës, Filipoviç njihet edhe si “njeriu i Vulinit”. Aleksandar Vulin aktualisht është drejtor i BIA-s./REL

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share