Koreja e Veriut akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë shkelur hapësirën e saj ajrore duke kryer fluturime vëzhguese. Phenjani tha se po tregonte vetëpërmbajtje pasi avionët amerikanë mund të rrëzohen.
Veprimet provokuese ushtarake nga SHBA-ja po e sjellin gadishullin korean më pranë konfliktit bërthamor, tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Koresë së Veriut, përmes një deklarate të publikuar nga agjencia e lajmeve KCNA.
Kjo media po ashtu raportoi se në deklaratë u tha po ashtu se përdorimi i avionëve dhe dronëve vëzhgues nga Uashingtoni po përshkallëzon tensionet, duke akuzuar Uashingtonin se po dërgon nëndetëse bërthamore pranë gadishullit.
Në deklaratë u përmendën edhe incidente në të kaluarën kur Veriu kishte rrëzuar ose penguar avionë amerikanë në kufi.
Koreja e Veriut shpesh ankohet që SHBA-ja kryen fluturime vëzhguese pranë gadishullit.
Nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga ushtria amerikane që janë të vendosur në Korenë e Jugut.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se pretendimet e Veriut se i është shkelur hapësira ajrore janë të pavërteta. Ushtria në Seul tha se asetet vëzhguese amerikane kanë kryer fluturime rutinë të vëzhgimit përreth gadishullit, duke shtuar se aleatët punojnë ngushtë për të monitoruar Veriun.
Sipas KCNA-së, vendosja e aseteve bërthamore strategjike të SHBA-së në Gadishullin Korean “është shatantazhi më i pështirë bërthamor” kundër Koresë së Veriut dhe shteteve në rajon, si dhe, sipas Phenjanit, kjo paraqet një kërcënim të madh të paqes.
Forcat e Koresë së Jugut dhe SHBA-së kanë kryer stërvitje ajrore dhe detare gjatë këtij viti. Në këto stërvitje kanë marrë pjesë edhe avionmbajtësit dhe bombarduesit e rëndë. Po ashtu, muajin e kaluar në stërvitje mori pjesë edhe një nëndetëse bërthamore amerikane.
Vendosja e nëndetëses në ujërat jugkoreane është pjesë e përpjekjeve së Uashingtonit për t’iu përgjigjur më mirë kërcënimeve të Koresë së Veriut që kryer vazhdimisht testime të armëve.